Takimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës – Foto: KPK

Të gjithë prokurorët me mandat të përhershëm mund t’ia mësyjnë pozitës së Kryeprokurorit Special

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka ndryshuar Rregulloren 08/2016, në të cilën përcaktoheshin kriteret për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Sipas kësaj Rregulloreje, të drejtë aplikimi për atë pozitë kishin vetëm prokurorët e Prokurorisë Speciale, ndërsa miratimi i rregullores së ndryshuar këtë të drejtë ua njeh edhe prokurorëve me mandat të përhershëm.

Ndryshimi erdhi pas miratimit të opinionit ligjor të komisionit për çështje normative.

Me Rregulloren e re, e cila unanimisht u votua nga Këshilli Prokurorial, të drejtë kandidimi për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale kanë të gjithë prokurorët me mandat të përhershëm të cilët i plotësojnë edhe kushtet e veçanta të konkursit.

Ndryshim tjetër nga Rregullorja e kaluar është edhe shkurtimi i afatit për hapjen e konkursit për kryeprokuror pasi për me rregulloren e re ky afat u shkurtua për 15 ditë.