Marshi "Çohu për të drejtat e njeriut' në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla

Të drejtat e njeriut në Kosovë: Hendeku mes shkronjave në Kushtetutë dhe praktikës (FOTO)

Me moton ‘Çohu për të drejtat e njeriut’ është shënuar Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, me një aktivitet të organizuar nga Avokati i Popullit, të përkrahur nga GIZ-i dhe BIRN Kosova dhe organizata të tjera joqeveritare.

Fillimisht, në Teatrin Kombëtar të Kosovës u bën prezantime dhe u dhanë mesazhe nga të gjitha grupet e margjinalizuara që janë viktima të shkeljes së të drejtave.

Igballe Rugova nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha se këtë herë para marshit në rrugë, bashkë me Avokatin e Popullit kanë vendosur që të mbajnë një aktivitet, pasi ka shumë për t’u diskutuar për të drejtat e njeriut.

“Vitin e kaluar kemi qenë direkt në rrugë, por pasi që është 70 vjetori i deklaratës, Avokati i Popullit dhe stafi i institucionit kanë menduar që të bëjnë edhe një program brenda teatrit meqenëse kemi shumë çështje për të diskutuar bashkë dhe për me shënu bashkërisht 70 vjetorin e Deklaratës për të Drejtat e Njeriut dhe kjo me moton ‘Çohu për të drejtat e njeriut’ ‘’, ka thënë Rogova.

Marshi “Çohu për të drejtat e njeriut’ në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla

Pjesë e këtij aktiviteti ka qenë edhe Fleta Mujaj nga Grupi i Fëmijëve Monitorues, organizatë që merret me të drejtat e fëmijëve.

Mujaj tha se ‘të drejtat e fëmijëve në kontekst janë të njëjta me të drejtat e njeriut, mirëpo të drejtat e fëmijëve me vete kërkojnë mbështetje dhe përgjegjësi nga të rriturit për respektimin dhe zbatimin e tyre’.

“Për shkak se një fëmijë, është një i rritur në krijim dhe për shkak të rrethanave dhe moshës ka nevojë për mbrojtje”, tha Mujaj.

Marshi “Çohu për të drejtat e njeriut’ në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla

Agon Rexhepi aktivist për të drejtat e njeriut në organizatën YIHR, tha se është e dhimbshme që po vazhdon të kultivohet kultura që Kosova të duket mirë në sy të tjerëve, anipse “ne kemi ngecë në një lëmsh të madh që vet e kemi kriju”.

“Sikur Kosova të ishte ashtu si paraqitet në letra dhe në video kishim me i pasë punët më mirë. A po promovojmë shtetin, i cili qytetarëve të vet nuk është në gjendje me iu ofru sigurinë e nevojshme, bile kur iu rrezikohet siguria qytetarëve të vet, organet shtetërore gjejnë kohë dhe vullnet antinjerëzor me bo hajgare me ta, e madje nuk iu përgjigjen thirrjeve për ndihmë dhe mbrojtje, thirrje këto që po përfundojnë në mënyrën më të keqe të mundshme’’, deklaroi Rexhepi.

Ndërsa aktivistja për barazi gjinore Merita Stublla Emini ka thënë se Kosova përkundër problemeve që mund t’i ketë si shtet i ri, duhet të kujdeset të respektojë të drejtat e njeriut të cilat i ka të inkorporuara në Kushtetutën e vet.

Marshi “Çohu për të drejtat e njeriut’ në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla

‘’Shteti ynë duhet të promovojë moton që zbatimi i ligjit nuk ka alternativë. Dhuna është e patolerueshme dhe ne si shoqëri duhet kolektivisht që të aktivizohemi dhe ta dënojmë çfarëdo dhune që ushtrohet nga kushdo dhe i drejtohet kujtdo. Pabarazia gjinore është shkaktari kryesor i dhunës kundër grave. Dhuna nuk është vetëm fizike, por edhe psikike, ekonomike, emocionale. Femrës nuk i duhet që t’ia hapin rrugën burrat, por mos t’ia mbyllin atë’’, ka thënë Stublla Emini.

Pas këtij aktiviteti të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u mbajt edhe marshi nga sheshi ‘Skenderbeu’ deri te sheshi ‘Zahir Pajaziti’, ku morën pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme jo qeveritare që mbrojnë të drejtat e grave, fëmijëve, pensionistëve, komuniteteve pakicë dhe komunitetit LGBTI.

Marshi “Çohu për të drejtat e njeriut’ në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari pas marshit, deklaroi se ky aktivitet i mbajtur sot ka për qëllim të dërgohet një mesazh më i fuqishëm tek institucionet e shtetit, për të drejtat e njeriut.

“Është viti i dytë që Avokati i Popullit së bashku me gjithë organizatat joqeveritare në Kosovë që tentojnë më e shënu Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, që lidhet me 70 vjetorin e Deklaratës Universale, si dokumenti kryesor për të drejtat e njeriut. Qëllimi ishte që të përçohet një mesazh më i fuqishëm nga Avokati i Popullit dhe organizatat joqeveritare tek institucionet’’ , tha Jashari.

Marshi “Çohu për të drejtat e njeriut’ në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla

10 Dhjetori është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, pasi shënohet si përkujtim i përvitshëm i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila është miratuar me 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Marshi “Çohu për të drejtat e njeriut’ në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla