Punëtorët në fabrikën e këpucëve në Suharekë, Foto: BIRN

Të Diplomuarit në Kosovë Presin në Radhë për Punë

Nepotizmi i përhapur dhe kualifikimi jo i duhur i studentëve janë ndër faktorët kryesorë që po e mbajnë në mënyrë shqetësuese nivelin e lartë të papunësisë në Kosovë.

Albulena Zyba-Gashi, 32 vjeçare, ka luftuar për gjashtë vjet për të gjetur një punë të duhur në Kosovë dhe, pavarësisht kualifikimeve të larta profesionale, nuk ka arritur deri tani.

“U diplomova në master në Shkencat e Sigurisë në vitin 2012, por nuk gjeta një punë që përputhej me profilin tim”, tha për BIRN, gruaja e zhgënjyer.

Ndërkohë, ajo është bërë shtëpiake dhe ka vendosur të kalojë kohën e saj duke u kujdesur për dy djemtë e saj, dhe të mbështetet në ndihmën financiare të bashkëshortit të saj i cili punon.

Por asaj ende i mungon karriera. “Unë zgjohem çdo mëngjes duke shpresuar që më në fund do të jem në gjendje të gjej një punë”, shton Zyba-Gashi.

Shumë kosovarë janë në të njëjtën varkë, dhe situata po përkeqësohet, e nuk po bëhet më mirë.

Sipas një sondazhi të fundit mbi fuqinë punëtore, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në nëntë muajt e parë të vitit 2017, shkalla e papunësisë u rrit me 2.9 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Shkalla mesatare e papunësisë ishte 30.4 për qind, një nga më të lartat në Ballkan. Ajo gjithashtu u rrit me pothuajse 3 për qind krahasuar me vitin 2016.

Për gratë, situata është edhe më e keqe. Në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, rreth 38 për qind e grave ishin të papuna, krahasuar me “vetëm” 27.8 për qind të meshkujve.

Gjendja e Albulena Zyba-Gashi është e rëndësishme. “Për katër vjet kam kërkuar punë në Gjykatën Themelore në Prizren dhe Rahovec, por gjithmonë kam marrë përgjigje negative”, thotë ajo.

Edhe kur ka aplikuar për praktikë pa pagesë në këto gjykata përgjigja ishte gjithmonë e njëjtë: “Nuk ka vend të lirë, por ju mund të provoni vitin e ardhshëm”.

“Kur e pashë sa e vështirë ishte të gjeja një punë me gradën master, mendoja se do të duhej të provoja në një klinikë, si dhe të përfundoja një shkollë mjekësore. Por nuk munda të gjej punë as atje”, vazhdoi ajo.

Te gratë në Kosovë, shkalla e papunësisë është edhe më e keqe tek të rejat e moshës 15-24 vjeç, rreth 53 për qind e tyre janë të papuna, sipas statistikave.

Shaban Xhemajli, 25 vjeçar, i cili ka studiuar në Universitetin Evropian të Tiranës, është një nga ata me fat. Ai ka një punë, megjithëse zgjati katër vjet për ta gjetur atë, në një kompani private.

“Kam studiuar për informacione ekonomike, financa dhe banka, por nuk munda të gjej punë për vite”, tha Xhemajli për BIRN.

“Punëdhënësit nuk më dërguan një përgjigje për të më shpjeguar se pse nuk isha mjaft mirë për punët që kisha aplikuar”, shtoi ai.

Përveç shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë, 23 për qind e njerëzve që punojnë në punë të paqëndrueshme, pothuajse të papaguara, thuhet në anketë.

Kjo do të thotë se ata ose janë të vetëpunësuar ose punojnë për biznese familjare.

Problem tjetër në tregun e punës është kultura e nepotizmit të shfrenuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për kërkimin e tyre në institucionet publike.

Një producent televiziv 40 vjeçar në Prishtinë, i cili nuk donte ta publikonte emrin e tij, tha për BIRN se megjithëse kishte një rezyme të shkëlqyer, ai nuk arriti të merrte një vend pune në transmetuesin publik RTK.

“Kam mbaruar studimet master në Audio-produksion në Londër në vitin 2012 me nota të larta”, tha ai.

“Kam aplikuar dy herë për një pozitë në RTK dhe jam i sigurt se unë kam qenë kandidati më i mirë. Pashë të tjerët që as nuk i dinin konceptet bazë të profesionit”, shtoi ai.

Por, kur kishte aplikuar për herë të dytë, tha se RTK e kishte mbyllur papritur të gjithë procedurën e seleksionimit.

Më vonë, atij  iu tha jozyrtarisht se “një person tashmë është përzgjedhur për këtë post … ne jemi në Kosovë, nuk është si në Londrër këtu”.

Producenti tha se kurrë nuk do të aplikonte përsëri për një pozitë në një institucion publik në Kosovë, dhe për fat të mirë tani ai e ka biznesin e tij.

Bekim Kabashi, gazetar dhe analist politik në Prishtinë, tha për BIRN se nepotizmi është një nga faktorët kryesorë në tregun e punës në Kosovë, veçanërisht në institucionet shtetërore dhe publike.

Të dhënat nga ‘Public Pulse Brief’, një sondazh i kryer nga UNDP në Kosovë, i cili matë perceptimet e njerëzve për çështjet më të rëndësishme në vend, e konfirmoi këtë.

Ai tregon se më shumë se 65 për qind e njerëzve në Kosovë i konsiderojnë papunësinë, korrupsionin dhe varfërinë si problemet më të mëdha të vendit.

Të pyetur rreth mundësive për punësim të bazuar në merita, shumica e të anketuarve, 79 për qind, thanë se besonin se lidhjet familjare, ryshfeti, aleancat partiake dhe faktorët e tjerë të bazuar në mosbesim janë faktorët kryesorë në marrjen e pozicioneve në sektorin publik.

Përveç kësaj, administrata qendrore perceptohet si fusha më e korruptuar nga të gjitha.

Megjithatë, korrupsioni dhe nepotizmi nuk janë faktorët e vetëm që prekin tregun në Kosovë.

Shumë analistë gjithashtu për shkallën e lartë të papunësisë e fajësojnë mospërputhjen ndërmjet asaj se për çka ka nevojë dhe çfarë merr tregu.

Një numër i madh të diplomuarish në Kosovë nuk janë të përgatitur për tregun modern të punës.

Si rezultat i kësaj, shumë të rinj  me diploma universiteti të papërshtatshme përfundojnë shpesh si të pa punë  ose në punë me pagesë të ulët.

Megjithatë, qeveria ende ka një iniciativë për të inkurajuar sa më shumë njerëz të jetë e mundur për të shkuar në universitet.

Kjo për arsye se, sipas rregullave statistikore të Kosovës, studentët nuk numërohen në shkallën zyrtare të papunësisë.

“Në Kosovë ekziston një mungesë e analizës së nevojave të tregut dhe përputhshmërisë së saj me profilet aktuale të universitetit, dhe kjo ka një ndikim negativ [mbi punësimin],” thotë Kabashi.