Grupi i Kumanovës - Foto: REL/MIA

Të dënuarit e Grupit të Kumanovës kërkojnë hetim ndërkombëtar

Gjykata e Apelit në Shkup ka nisur shqyrtimin e ankesave të 33 pjesëtarëve të njohur si Grupi i Kumanovës, të cilët gjykata e shkallës së parë i kishte dënuar me 746 vjet burgim për veprën penale, terrorizëm.

Prokuroria ka mbrojtur gjykimin e shkallës së parë, ndërsa të dënuarit vetëm për pak çaste kanë qëndruar në seancë, pasi u larguan nga policia për shkak të reagimeve të zëshme dhe brohoritjeve të ndryshme në shenjë revolte, për, siç kanë thënë, dënimin e shqiptuar dhe mosmarrjen në konsideratë të reagimeve të tyre gjatë katër vjetëve të kaluar.

Valdet Zekaj, në emër të të dënuarve, edhe një herë ka kërkuar hetim ndërkombëtar të rastit, si dhe dëshmitë e shumë ish-zyrtarëve të Qeverisë së kaluar, e që janë pjesë edhe e Qeverisë së tanishme duke i akuzuar për tradhti për rastin në fjalë.

Ai ka akuzuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe shumë ministra e zyrtarë të tjerë, përfshirë edhe ata shqiptarë si Ali Ahmetin, Musa Xhaferin e të tjerë.

“Ne, por edhe avokatët tanë, para gjykatës së shkallës së parë kemi propozuar dëshmitarët krucial që të vijnë këtu dhe të dëshmojnë me qëllim që të zbardhet çdo detaj dhe të hiqet çdo dilemë rreth këtij rasti…Por, gjykata i refuzoj të gjithë dëshmitarët, përfshirë edhe njërin që kishte pranuar të fliste”, ka thënë Zekaj.

Edhe pala mbrojtëse ka kërkuar hetim ndërkombëtar, ndërsa ka përsëritur qëndrimet se rasti ka qenë i orkestruar nga Qeveria e kaluar për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet, me të cilat përballej ajo, në veçanti me aferën e përgjimeve dhe raste tjera.

“Sot, djemtë ishin decid, të saktë. Nuk kanë besim në këtë gjykatë, andaj edhe kërkojnë hetim dhe gjykim ndërkombëtar, që të kuptohet se çfarë konkretisht ka ndodhur më 9 dhe 10 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë, dhe të vërtetën ta dinë, si ata, ashtu edhe opinioni”, ka deklaruar Mefail Arsllani, një nga avokatët e të dënuarve.

Sa i përket kërkesës për hetim ndërkombëtar, nga Qeveria kanë thënë se mbeten në qëndrimin mbi nevojën e zbardhjes së këtij rasti dhe se pasi të ketë një epilog gjyqësor, do të mund të inkuadrohen ekspertët ndërkombëtar. Por, njohësit e çështjeve juridike, thonë se ndërkombëtarët mund vetëm të ndihmojnë me informacione, nëse posedojnë, por jo edhe ta hetojnë rastin.

“Nëse ka indikacione se e gjitha ajo që ka ndodhur, është planifikuar apo nxitur nga jashtë, apo nga shtete tjera, atëherë mund të kërkohet ndihmë nga shërbimet më të zhvilluara nga jashtë. Ata në këtë rast do të na ndihmonin që të arrijmë tek e vërteta. Kjo do të ishte edhe në interesin tonë si shtet. Pra, konsultime mund të ketë, por jo edhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të jashtme në hetimin e asaj që ka ndodhur në Kumanovë”, ka vlerësuar Borçe Davitkovaki, njohës i çështjeve juridike.

Pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, më 2 nëntor të vitit 2017, ishin shpallur fajtorë për veprën terrorizëm lidhur me luftimet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë ku kishin mbetur të vdekur 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur, që ishin prezantuar si ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e që kishin nisur konfliktin për, siç kanë thënë, “tërheqjen vërejtjes autoriteteve maqedonase për gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe mosrealizimin e të drejtave të tyre kombëtare”.

Shtatë anëtarë të grupit janë dënuar me burgim të përjetshëm; Dem Shehu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Fejzulla Rushitovski, Andi Krasniqi, Fadil Fejzullahu dhe Bek Bajra. Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burgim, gjashtë me nga 20 vjet, një me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, dy me 13 vjet dhe dy me nga 12 vjet burgim.

Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës dhe konsiderohen si organizatorë të ngjarjes së rëndë. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy ish- komandantë të UÇK-së, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, por pala mbrojtëse, familjarët si dhe disa nga të dënuarit, në vazhdimësi kanë deklaruar se këta dy persona janë vrarë pasi ishin dorëzuar. (REL)