Gjykimi ndaj Atdhetar e Hashim Rexhepi dhe Qëndrim Veselajt – foto KALLXO – 29.11.2018

Të akuzuarit për falsifikim të lejeve të armëve deklarohen të pafajshëm

Atdhetar e Hashim Rexhepi si dhe Qëndrim Veselaj u deklaruan të pafajshëm përballë akuzave të Prokurorisë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Feti Tunizliu, të akuzuarit u deklaruan lidhur me fajësinë.

“Unë ndjehem fajtor por jo me këta njerëz që janë këtu. Nuk e pranoj fajësinë për asnjërën. Ndërmjetësues për leje jam, por jam me ministrinë”, deklaroi i akuzuari i parë Atdhetar Rexhepi.

Fajësinë nuk e pranuan as dy të akuzuarit e tjerë Hashim Rexhepi e Qëndrim Veselaj të cilët shkurtimisht u përgjigjen se nuk ndjehen fajtor për veprat të cilat i vihen në barrë.

Në kuadër të kësaj të akuzuarit si dhe mbrojtësit e tyre kanë 30 ditë kohë që të paraqesin kundërshtimet dhe kërkesën lidhur me rrëzimin e aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë.

https://kallxo.com/prokurori-harron-te-shkoje-ne-gjykimin-per-falsifikim-te-lejeve-te-armeve/

Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 2016/17 i akuzuari Atdhetar Rexhepi, ka përpiluar dokumente publike false që ruhen në bazë të ligjit, duke falsifikuar plotësisht lejet për armëmbajtje. Duke shënuar në to të dhënat e nevojshme të personave, Hashim Rexhepi, Flakron Maqani e Fitim Imeri të cilat leje nuk i plotësojnë tiparet e sigurisë sipas teknologjisë standarde dhe janë printuar në teknikën “elektrofotografi” që nuk kanë pasur reaksion nën rrezet UV dhe nën rrezet IK dhe nuk janë respektuar procedurat për lëshimin e lejeve për armëmbajtje të përcaktuara me dispozitat e Ligjit për Armë dhe rregulloren për armëmbajtje në Republikën e Kosovës.

I njëjti akuzohet se pastaj ka rregulluar edhe tri leje të tjera për armëmbajtje në emër të personave tjerë fizikë, si Jahir Krasniqit, Selman Maqanit e Qëndrim Veselit, leje këto kinse të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Me anë të paraqitjes së rreme të fakteve të përshkruara më lartë, sipas prokurorisë i akuzuari Atdhetar Rexhepi gjatë viteve 2016/17 ka lajthitur personat Flakron Maqanin, Fitim Imerin, Jahir Krasniqin, Selman Maqanin dhe Qëndrim Veselajn, duke i nxitur të njëjtit që në dëm të pasurisë së tyre t`i japin veç e veç nga pesë mijë euro kinse për t`i pajisur me leje legale për armëmbajtje.

Kurse babai i të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, i akuzuari tjetër Hashim Rexhepi nga prokuroria akuzohet pasi dyshohet se si drejtor i Sh.P.K “Fazani” nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitojë i akuzuari Atdhetar Rexhepi, në atë mënyrë që duke mos e penguar, atij i ka lejuar dhe mundësuar që të ndërmjetësojë midis Sh.P.K “Fazani” me persona fizikë për të kryer shërbime për blerje, shitje dhe furnizim me armë dhe leje për armëmbajtje i cili nuk ka pasur asnjë pozitë në këtë Sh.P.K dhe kështu ka kontaktuar me personat e lartcekur të cilët i ka mashtruar.

Dhe për pasojë sipas aktakuzës pasi ua ka kërkuar dhe marrë lejet për armë bashkë me armët e përshkruara më sipër të cilat nuk ua ka kthyer si dhe dosjen e aplikimit për armë në emër të Festim Lushtakut, të cilat kanë qenë në portofolin e të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, të cilin portofol e ka mbajtur i akuzuari Hashim Rexhepi në rrobat e veta që janë gjetur gjatë kontrollimit të përkohshëm të shtëpisë së të pandehurve.

https://kallxo.com/gjykata-vendos-per-babe-e-bir-te-dyshuar-per-falsifikim-te-lejeve-te-armeve/

Ndërsa  i akuzuari i tretë Qëndrim Veselaj, sipas Prokurorisë në cilësi të dëshmitarit ka dhënë deklaratë të rreme ashtu që në fillim të vitit 2016 në deklaratën me shkrim të dhënë në MPB ka deklaruar se kinse ‘ju ka humbur leja për armëmbajtje që e kishte marrë nga i akuzuari Atdhetar Rexhepi dhe dëshiron ta pajiset me leje të re për armëmbajtje’ edhe pse në fakt asnjëherë më parë MPB nuk i kishte lëshuar leje të tillë.

Atdhetar Rexhepi nga Prokuroria akuzohet se me veprimet e lartpërmendura ka kryer veprat penale të falsifikimit të dokumentit, mashtrimit dhe armëmbajtjes pa leje, Hashim Rexhepi akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Qëndrim Veselaj për deklarim të rremë.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë rast. Artikujt mund t’i gjeni në këtë link.