'Grupi i Dobrosinit' në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Të Akuzuarit e ‘Grupit të Dobrosinit’ Refuzojnë t’i Përgjigjen Prokurores

Në gjykimin ku 10 gjilanas akuzohen se sulmuan punktin e policisë serbe në Dobrosin të Bujanocit, në fazën e marrjes në pyetje të të akuzuarve, të njëjtit refuzuan t’i përgjigjeshin pyetjeve të prokurores Valeria Bolici.

I pari që filloi dëshminë ishte i akuzuari Valon Jashari.

I akuzuari deklaroi se pjesërisht do të heshtë në pyetjet e parashtruara nga prokurorja Bolici, me arsyen se nuk ka asnjë provë shtesë qysh nga gjykimi i kaluar i 2013-ës.

Reagime pati nga prokurorja e EULEX- it, Valeria Bolici, e cila tha se me këtë vendim nuk mund të quhet marrje në pyetje.

“Atëherë kjo i bie dhënie e deklaratës e jo marrje në pyetje nëse vendos t’u përgjigjesh vetëm pyetjeve të avokatit”, tha Bolici.

Por, trupi gjykues në krye me gjyqtarin Zyhdi Haziri, mori aktvendim se është e drejtë e të akuzuarit që të deklarohet për çdo pyetje apo të mos deklarohet.

Në dëshminë e tij, i akuzuari Valon Jashari përsëri theksoi se ndjehet i pafajshëm për atë se për çfarë po ndodhet në këtë proces gjyqësor që po zgjatë tash e 5 vite.

“Plotësisht jam i pafajshëm”, tha ai.

Pas marrjes në pyetje nga avokati i tij mbrojtës, Murat Demolli, si dhe nga trupi gjykues, prokurorja Bolici përsëri parashtroi kërkesë zyrtare që ta marrë në pyetje të akuzuarin.

Përkundër të drejtës së tij që të qëndrojë në heshtje, prokurorja Bolici kërkoi që ta ballafaqojë me prova të pranueshme.

“Kërkoj që të kem të drejtën t’i parashtroj pyetje të akuzuarit për provat e pranueshme dhe ai deklarohet veç e veç për secilën pyetje se a dëshiron të përgjigjet apo jo”, ishte kërkesa e prokurores.

Por, përkundër kërkesës së saj, Valon Jashari përsëri refuzoi të merret në pyetje nga prokurorja me arsyetimin se pa prova të reja, pyetjet janë torturuese.

“Unë u deklarova edhe më parë se meqenëse nuk ka prova të reja nuk kam qka të përgjigjem në pyetjen e prokurorit pasi që shumë më duken pyetje torturuese, inkriminuese dhe të panevojshme”, tha Jashari.

Pasi përfundoi dëshminë e tij, të gjithë të akuzuarit e radhës përcollën të njëjtin ritëm duke vazhduar të mos u përgjigjeshin pyetjeve të prokurores Bolici, me përjashtim të Gazmend Laknës, i cili u përgjigj në disa nga pyetjet e prokurores.

Në seancën e radhës e cila u caktua për muajin shtator do të jepet fjala përfundimtare.

Në mes datave 17 maj dhe 7 tetor 2012 punkti i policisë serbe në Dobrosin të Bujanocit ishte sulmuar tri herë radhazi me armë zjarri.

Pak kohë pas incidentit, nën urdhrat e prokurorëve të EULEX-it, Policia arrestoi dhjetë shtetas të Kosovës si të dyshuar për këto sulme.

Grupi i thirrur “Lëvizja e Lirisë” e i përbërë nga Valon Jashari, Skënder Jashari, Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qëndrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani, akuzohen gjatë kësaj kohe kryen akte terroriste në shtetin e Serbisë.

Gjykata Supreme përmes aktgjykimit së lëshuar më 19 prill të vitit 2016 e kishte kthyer rastin në rigjykim, derisa në vitin 2013 të akuzuarit qenë dënuar nga Gjykata Themelore në Gjilan me një  total prej 60 vjetësh burgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.