Taksistët e akuzuar për transportim të drogës dalin para Gjykatës në Gjilan

Fiçri Thaçi dhe Luigj Memeti, të dy me profesion taksist, akuzohen nga Prokuroria e Gjilanit, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të posedimit, shpërndarjes, dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Të akuzuarit dyshohet se në datën 24 janar 2019, me qëllim të shitjes kanë transportuar marihuanë.

I akuzuari Fiçri Thaçi, akuzohet se me marrëveshje paraprake i ka marrë 52 kg marihuanë nga një person i panjohur në Prizren, me qëllim që këtë substancë ta dorëzojë te akuzuari tjetër në Gjilan.

Në bazë të aktakuzës, marrëveshja mes të akuzuarve ishte që Luigj Memeti të priste në parkingun e nja qendre tregtare në Gjilan, ku edhe do ta pranonte substancën, dhe do ti jepte 2 mijë euro të akuzuarit Fiçri Thaçi si shpërblim për transportimin.

Pas zbatimit të masave të fshehta të hetimit policia arritën që së pari të ndalojnë të akuzuarin Fiçri Thaçi, në fshatin Ponesh në magjistralen Prishtinë-Gjilan, ku ju gjetën në veturë 52 kg marihuanë. Ndërsa i akuzuari Luigj Memeti, u arrestua në parkingun e një qendre tregtare në Gjilan, të cilit ju gjetën 2 mijë euro.

Në shqyrtimin gjyqësor në Gjykatën e Gjilanit përballë trupit gjykues të përbërë nga kryetar Naser Maliqi dhe anëtarë Behar Ymeri dhe Rilind Sermaxhaj, i akuzuari Fiçri Thaçi e pranoi fajësinë për veprën penale. Ndërsa, i akuzuari tjetër Luigj Memeti nuk e pranoi fajësinë. Megjithatë, duke qenë se vepra ka qenë në bashkëkryerje gjykata vendosi që në këtë fazë të procedurës të mos e aprovoj pranimin e fajësisë nga Fiçri Thaçi. Gjithsesi, pranimi i fajësisë mund të llogaritet rrethanë lehtësuese në fazat tjera të procedurës.

Në pyetjet drejtuar të akuzuarve, të akuzuarit deklaruan se nuk e njohin njëri tjetrin. I akuzuari Fiçri Thaçi deklaroi se vetëm e dinte se do ta dorëzonte “mallin” tek një person në Gjilan dhe do të merrte 2 mijë euro për transportin.

Ndërsa, i akuzuari Luigj Memeti deklaron se një person tjetër ja kishte dhënë 2 mijë euro që këto të ja dorëzojë të akuzuarit Fiçri Thaçi. Por i akuzuari Luigj Memeti deklaroi se në atë kohë nuk e njihte se kujt do t`ja dorëzonte paratë.

Në këtë shqyrtim gjyqësor u proceduan edhe provat materiale që përfshijnë raportin fillestar të incidentit, fotot nga vendi i ngjarjes e transkriptet e thirrjeve telefonike të të akuzuarve.

 

 

 

12 Korrik 2019 - 17:58

Loren Hyseni 12/07/2019 - 17:58
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend