Foto: Ilustrim

Taksa 100%, kosovarët vazhdojnë të importojnë nga Serbia

Në muajin shkurt të vitit 2018, Kosova kishte blerë produkte me origjinë nga Serbia në vlerë prej 30 milionë e 112 mijë euro. Në të njëjtin muaj, Serbia ishte njëri ndër partnerët kryesor tregtar, pasi nga ky shtet importoheshin 14% e totalit të mallit që importonte Kosova.

E në shkurt të vitit 2019 gjerat kanë ndryshuar. Vlera e mallit të importuar nga Serbia ishte vetëm 482 mijë euro. Gjatë muajit shkurt vlera e importeve nga Serbia përbente vetëm 0.2 për qind e totalit të importeve.

Ky ndryshim drastik i importit është ndikuar nga vendosja e tarifës doganore prej 100% të vlerës së produktit të importuar nga Serbia. Në fillim të këtij vitit, debati për dhe kundër heqjes së taksës ishte intensifikuar pas presioneve që kanë ardhur edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Shqipëria e Maqedonia ia kanë pa hairin vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100%, pasi e kanë rritur eksportin për në Kosovë. Vlera e eksporteve të Shqipërisë në Kosovë, në muajin shkurt të vitit 2018, ishte 8,5 milionë euro, kurse në në shkurtin e këtij viti eksporti për Kosovë është rritur në 14,7 milionë euro. Vlera e eksporteve të Maqedonisë në Kosovë, gjatë muajit shkurt të vitit të kaluar, ishte 8,9 milionë euro. E gjatë muajit të kaluar, eksportet nga Maqedonia ishin në vlerë prej 15.8 milionë euro.