Takimi i Ramush Haradinajt me Shpend Ahmetin | Foto: ZKM

Takohen Ramush Haradinaj e Shpend Ahmeti

Ramush Haradinaj e Shpend Ahmeti janë takuar sot për të diskutuar rreth bashkëpunimit qeveri- komunë me të cilin synohen investimet në kryeqytet për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Zyra e Kryeministrit në një komunikatë tregon se në takim Ahmeti e Haradinaj biseduan për statusin ligjor të Pallatit të Rinisë, për unazën e Prishtinës dhe kogjenerimin e Termokosit.

“Për Pallatin e Rinisë, Kryeministri është dakorduar me kryetarin e Prishtinës se sa më parë duhet të kalojë në pronësi të Komunës së Prishtinës si ndërmarrje publike komunale”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, komuna dhe qeveria do të angazhohen për gjetjen e fondeve për rinovimin e këtij pallati.

“Ky pallat, përveç që do të përdoret nga sportistët, do të shërbejë edhe për integrimin e komuniteteve të tjera”, tregohet në komunikatë.

Haradinaj e Ahmeti kanë biseduar që në rishikimin e parë të Buxhetit për vitin 2018, të hyjë edhe projekti i Unazës së Prishtinës, kur synohet të nisë ndërtimi i saj.

“Kryeministri Haradinaj po ashtu ka thënë se do të punohet në shtimin e kapaciteteve të ngrohjes në Prishtinë, përmes kogjenerimit të Termokosit”, shpjegohet në komunikatë.

Projektligji për Prishtinën pasi u miratua nga Qeveria Haradinaj në tetor, i shkoi Kuvendit i cili në muajin nëntor e miratoi në lexim të parë. Kryetarët e Prishtinës vazhdimisht janë ankuar për mungesën e ligjit për kryeqytetin.

http://kallxo.com/miratohet-ne-parim-projektligji-per-prishtinen/

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-tregon-4-perfitimet-e-ligjit-per-prishtinen/