Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti në konferencë të përbashkët pas takimit Foto: ZKM

Takimi Haradinaj-Ahmeti, lojë politike

Kryeministri Ramush Haradinaj sot pati një takim pune me të parin e kryeqytetit, Shpend Ahmetin.

Partia e drejtuar nga Shpend Ahmeti, PSD, ka 12 ulëse në Kuvend dhe është në opozitë.

Deputetët socialdemokratë janë të vetmit që deri më tani i kanë dhënë nënshkrimet për rrëzimin nga posti të mysafirit të sotëm të Shpend Ahmetit, Ramush Haradinajt.

Gjatë takimit, Ahmeti tha se nuk kanë ndërruar qëndrim për Qeverinë deri ta rrëzojnë atë, mirëpo sipas tij, bashkëpunimi institucional do të vazhdojë.

Mirëpo analisti politik, Haki Abazi, e ka quajtur takimin e sotëm të kryeministrit Haradinaj me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, si “akt qesharak” e “aktrim të keq”.

Sipas tij, PSD i ka dhënë nënshkrimet për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj, duke e ditur se opozita nuk i ka numrat e mjaftueshëm.

“PSD ka dhënë nënshkrimet deri në momentin kur nënshkrimet nuk janë të mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë, dhe këtë e ka bërë për të rritur pazarin në të dy anët”, tha Abazi për KALLXO.com.

Sipas tij, PSD është duke bërë lojë me AAK-në dhe LDK-në, mirëpo siç thotë Abazi, në fund do të shkojnë te PDK.

“Ashtu siç kanë menduar që me daljen e disa personave e dëmtojnë LVV dhe ajo nuk ndodhi ashtu po mundohen që të luajnë lojën e dreqit ndërmjet AAK dhe LDK por që në fund shiten për pesë pare te Xhavit Haliti dhe Kadri Veseli. Shkuarja në takimin e thirrur nga Kadri Veseli tregon qartë për lojën e shumëfishtë dhe akrobacionet që janë duke i bërë”, thotë mes tjerash Abazi.

Në anën tjetër analisti Imer Mushkolaj thotë se Hardinaj e Ahmeti kanë raporte të mira që një kohë dhe nuk e sheh si diçka të re. Gjithashtu ai thotë se është i vërejtshëm si fakt, që PSD po e ruan Qeverinë nga kritikat.

“Shpend Ahmeti po përpiqet të përfitojë sa më shumë për komunën nga Qeveria Haradinaj. Nuk është asgjë e re se Ahmeti e Haradinaj kanë raporte të mira. Por, po ashtu, vërehet se PSD po “e ruan” Qeverinë Haradinaj nga kritikat”, tha Mushkolaj për KALLXO.com.

Sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme mund të ketë një koalicion parazgjedhor ndërmjet këtyre dy partive.

“Për zgjedhjet tjera, kurdo qe mbahen ato, një koalicion parazgjedhor ndërmjet AAK e PSD nuk përjashtohet”, tha tutje Mushkolaj.

https://kallxo.com/ahmeti-deri-ta-rrezojme-qeverine-do-te-bashkepunojme-me-te-si-komune/

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës, pas zgjedhjeve të fundit lokale, kur Shpend Ahmeti ishte pjesë e Vetëvendosjes ishin nënshkruar disa koalicione me parti të tjera.

Tani pas ndarjes, këto koalicione janë të udhëhequra nga PSD-ja e Ahmetit.

Në Prishtinë, PSD bashkëqeveris me AKR-në, AAK-në e Haradinajt, Lëvizjen për Bashkim.

Edhe pse ende nuk kanë ndonjë marrëveshje të zyrtarizuar me Vetëvendosjes, disa drejtori ende vazhdojnë të menaxhohen nga zyrtarë të Vetëvendosjes.