Takimet e qeverisë së Kosovës e Shqipërisë, 'reklama politike'

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar debati parlamentar në lidhje me zbatimin e marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë për unifikimin e pikave doganore sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri i mbështetur nga 11 deputetë.

Ymeri tha se unifikimi i doganave nuk u arrit asnjëherë. Ai kërkoi që Qeveria e Kosovës të tregojë se ku ka arritur procesi dhe të tregojë aspektin ligjor të këtyre marrëveshjeve.

“Një bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve do të ishte i dobishëm shumë për ekonomitë tona. Do të krijonte situatë të tërheqjes dhe të përmirësimit dhe vëllimin tonë ekonomik e tregtar”, tha Ymeri.

Sipas tij, aktualisht jo vetëm që do të fitonim e përfitonim ekonomikisht por do të rritej qarkullimi i njerëzve dhe punëtorëve dhe do ta rriste konkurrueshmërinë e produkteve.

“Unifikimi i tregut nënkupton që si treg i përbashkët të funksionojmë si një njësi ekonomike”, u shpreh Ymeri.

Ai propozoi që Kuvendi ta miratojë rezolutën.

Lutfi Zharku, tha se unifikimi do ta kursente kohën në pikat kufitare. Ai gjithashtu tha se unifikimi është hap me rëndësi në rritjen e shkëmbimeve tregtare.

“Do ta përkrahim këtë proces”, tha Zharku.

Safete Hadërgjonaj, ka thënë se duhet të bëhet më shumë në unifikim të pikave doganore.

Marrëveshjet si kjo sipas Hadërgjonaj, duhet të bëhen pjesë e politikave institucionale.

“Duhet të caktohen institucionet përkatësisht ministritë që të rregullojnë ligjet që i bëjnë të mundshme zbatimin e këtyre marrëveshjeve, për ti konkretizuar marrëveshjet”, tha ajo.

Arbër Rexhaj, tha se qeveritë shqiptare në mbledhjet e përbashkëta më shumë i kanë zhviilu për reklamim politik sesa për nënshkrim e zbatim të ndonjë vendimi për të mirën e qytetarëve.

Marrëveshjet e nënshkruara nga qeveritë tona nuk janë pasqyru në politika të mirëfillta qeveritare.

“Nga konstatime të mendimeve të fundit, prej rrjedhojave të ekonomisë e tregtisë, konstatohet se nuk ka asnjë angazhim të qeverisë për unifikim të pikave doganore”, tha Rexhaj.

Ahmet Isufi, shtoi se takimi i dy qeverive është prit me entuziazëm mes qytetarëve të dy vendeve.

Por ka konsideruar që është koha kur duhet të bëhet një analizë e marrëveshjeve se sa kanë mundur të zbatohen.

“Mendoj që dy kuvendet mund të ndihmojnë në këtë proces duke u angazhuar në komisione përkatëse. Është e domosdoshme të jemi më aktiv edhe sa u përket edhe marrëveshjeve tjera dhe mos ti lëmë vetëm si takime por të bëhet një unifikim i vërtet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ne si grup parlamentar e përkrahim këtë debat”, tha Isufi.

Edhe Zafir Berisha, takimet mes dy qeverive i ka quajtur më shumë reklamë politike sesa që kanë dhënë efekte në fushat për të cilat janë marrë vesh.