Takimet e Bellanicasve me Policinë Serbe

Në edicionin e fundit emisioni “Drejtësia në Kosovë” që ka folur për krimin në Bellanicë të Malishevës të tetorit 1998, ka rrëfyer edhe një anë tjetër të kësaj ngjarje takimin e bellanicasve me policinë serbe.

Sipas asaj që del nga ky rrëfim, kane qenë 14 banorë të fshatit që ishin pjesë e atij takimi.

Njëri nga personat që ishte takuar me policinë serbe ishte edhe Hajriz Hoxha, vëllai i Ramizit të ndjerë.

“Jemi ardhur këtu në fshat, tha burra kshtu është puna. Dikush me shku e dikush mos me shku, dikush anej e dikush knej e tash e caktuam krejt katuni me shku, veç mos me marrë kurrfarë obligime. E jena shku 14 veta, në listën e këtyre 14  kam qenë edhe unë edhe vëllai”, theksoi Hajriz Hoxha i cili ka treguar se bashkë me ta në takim me policinë serbe ka qenë edhe hoxha i fshatit”.

“Hoxha ka folë tha burra na kemi ardhur e tjetër send s’po di qa me thanë, thanë hoxhë ju falënderoj shumë që keni ardhë edhe na prej juve nuk kërkojmë tjetër send veç ma mos të sillen me tesha te UÇK-së nëpër fshat edhe mos të qet askush me armë, këto dyja i kërkoj prej juve”, shtoi Hajriz Hoxha.

Në mesin e 14 personave ishte edhe Ramiz Hoxha i cili me vonë u mor pasi që deshi të flasë me disa persona që kishin ardhur ta marrin imamin e fshatit Bellanicë. Djali i të ndjerit Fadili nuk beson që kjo mund të ketë ndonjë ndërlidhje mes vete.

“Unë personalisht nuk e besoj për një arsye, kjo ka qenë tre muaj më herët, tre muaj, prej ditës të vrasjes. Nëse ka qenë kjo arsyeja, pse pra nuk u vrajtën krejt të 14 apo 12 a 13, ose pse pra nuk e vrajtën në emër të popullit para xhematit, pse nuk e bënë të madhe”, theksoi Fadili.

Emisionin “Drejtësia në Kosovë” mund ta shikoni të plotë në linkun e mëposhtëm: