Abelard Tahiri. Foto: Atdhe Mulla

Tahiri reagon pas alarmit për bombë: Nuk do të lejojmë që sistemi i drejtësisë të bëhet cak i kërcënimit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka shprehur sot indinjatën e tij lidhur me kërcënimin që sot organet e drejtësisë kanë marrë.

Përmes një deklarate për media, ministri Tahiri ka kërkuar që përgjegjësit sa më shpejt të sillen para drejtësisë.

“Kërcënimi që sot morën organet e zbatimit të ligjit është akt që nuk përkon as me traditën tonë, as me kulturën tonë politike dhe as me investimet tona shoqërore për një drejtësi të mirëfilltë që është besnike e palëkundur ndaj të vërtetës. Shpreh indinjatën time të thellë me këtë akt dhe ndaj kujtdo që qëndron prapa tij, i cili sot ka pretenduar të vë në test vullnetin e pa lëkundur të institucioneve të sistemit të drejtësisë për të zbatuar ligjin në përpikërinë e tij”, ka thënë Tahiri.

Tahiri kërcënimin e sotëm për organet e drejtësisë e ka quajtur të papranueshme, duke shtuar se duhet të marrë përgjigjen e merituar.

“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që sistemi i drejtësisë dhe gardianët e tij të bëhen cak i kërcënimit nga personat e papërgjegjshëm, kushdo qofshin ata. Pres nga organet e drejtësisë që të sjellin para përgjegjësisë autorin e kësaj tentative që synoi të mbjellë panik në mesin e institucioneve tona, si dhe dua t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, se institucionet e zbatimit të ligjit nuk do të ndalën së bëri punën e tyre të mirëfilltë në secilin segment që i ka mandatuar ligji”, ka përfunduar Tahiri.

Gjatë ditës së stome, Këshilli Gjyqësorë i Kosovës ka pranuar tri telefonata, përmes të cilave një person ka ka kanosur me vendosje të mjetit shpërthyes në drejtim të institucioneve të drejtësisë konkretisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës me anë të një njoftimi ka thënë se ende nuk kanë arritur që të identifikojnë personin i cili ka telefonuar KGJK-në dhe ka njoftuar se brenda saj dhe Prokurorisë Speciale gjendet një bombë.

“Sa i përket identifikimit të personit të dyshuar i cili ka kryer kanosjen me mjet shpërthyes, Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në identifikimin e personit dhe abonuesit të numrit të telefonit nga i cili është kryer kanosja”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu policia në një mënyre kronologjike kanë njoftuar për ngjarjen e cila alarmoi sot sistemin e sigurisë dhe drejtësisë.

“Sot me datë 24.5.2019 rreth orës 10:30,  në zyrën e pranimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë pranuar tri (3)  thirrje telefonike. Në këto thirrje telefonike është lajmëruar një person mashkull i cili ka kanosur me vendosje të mjetit shpërthyes në drejtim të institucioneve të drejtësisë konkretisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje thuhet se policia ka kontrolluar të dy ndërtesat të cilat mendoheshin të ishin cak të bombës.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, duke bërë evakuimit e personelit, njoftimin e njësive të specializuara duke përfshirë njësitin e materieve shpërthyese dhe njoftimin e prokurorisë kompetente. Janë kontrolluar të dy ndërtesat, ndërtesa e Këshillit Gjyqësor dhe ndërtesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

“Nga të gjitha veprimet operative dhe hetimore që ka ndërmarrë Policia e Kosovës, nuk ka rezultuar me të gjetur të ndonjë mjeti të dyshuar, dhe rreth orës 15:00 është liruar vendi i ngjarjes dhe rruga për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve”, thuhet në njoftim.

Në vazhdim, Policia e Kosovës ka thënë edhe se në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim identifikimin e personit/personave të dyshuar dhe procedimin e tyre para organeve të drejtësisë.