Abelard Tahiri. Foto: Atdhe Mulla

Tahiri: Do të rritet numri i zyrtarëve që do të deklarojnë pasurinë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se shumë shpejt do të rritet numri i zyrtarëve të cilët duhet ta bëjnë deklarimin e pasurisë, nëpërmjet miratimit të dy projektligjeve të reja, atë për Deklarimin e Pasurisë dhe për mandatin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Këto deklarata ministri Tahiri i ka bërë gjatë takimit me Këshilltarin e Lartë për Masat Kundër Korrupsionit në Zyrën Qendrore të UNDP-së, Euy-Whan Kim.

Ministri Tahiri ka njoftuar përfaqësuesit e UNDP-së, se në këtë fushë janë paraparë ndryshime përmbajtësore, duke filluar nga rritja e numrit të zyrtarëve që do të deklarojnë pasurinë, deri tek kontrolli efikas i të dhënave të deklaruara, deklarimi në formë elektronike dhe masat tjera që do të përcaktojnë qartë rolin dhe mandatin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Tahiri gjithashtu ka vlerësuar mbështetjen që deri më tani UNDP-ja ka dhënë në përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar një qasje zero tolerancë ndaj korrupsionit.