Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në takim me Dekanët e Fakulteteve Juridike të Universiteteve Publike- Foto: KALLXO.com

Tahiri: Bashkëpunimi me Fakultetet Juridike Ndihmon Sistemin e Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kërkoi gatishmëri dhe bashkëpunim nga dekanët e fakulteteve juridike të universiteteve publike, sa i përket fuqizimit të sistemit të drejtësisë.

Tahiri gjatë ditës së sotme u takua me dekanët e fakulteteve juridike të universiteteve publike.

Sipas Tahirit, dekanët shprehën vullnetin e tyre për ta ndihmuar sistemin e drejtësisë.

“Sot pata kënaqësinë t’i takoj dekanët e fakulteteve të juridikut, të Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit, Prishtinës të Pejës i falënderoj për gatishmërinë e tyre për fuqizimin e sistemit të drejtësisë. Padyshim që një sistem i mirë i drejtësisë fillon nga edukimi i të rinjve në Juridik”, tha Tahiri.

Ai shtoi se në fund të këtij muaji do të bëhet edhe rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë.

“Sot kur ne po fillojmë një proces tepër të rëndësishëm rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë, kërkova nga dekanët që të jenë pjesë të këtij rishikimi të japin kontributin e tyre në ato shtatë shtyllat që ne i kemi paraparë në reformën që do të filloj në fund të këtij muaji. Pashë gatishmërinë e tyre vullnetin e tyre për fuqizimin e sistemit të ligjit të sistemit juridik”, shtoi ministri Tahiri.

Tahiri po ashtu u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë edhe me studentët e juridikut.

“Po ashtu ne diskutuam edhe për mundësitë e bashkëpunimit me studentet e fakulteteve të juridikut. Kemi një agjendë legjislative tepër të ngarkuar, për vitin 2018. Në agjendën e legjislativit janë 18 projektligje të cilat janë të gjitha në lidhje me fushën e drejtësisë. Kërkova nga dekanët që të na bashkëngjiten në grupe punuese dhe që të arrijnë që fundi i vitit 2018 të jetë me rezultate të mira”, shtoi Tahiri.

Dekani i Fakultetit Juridik në UP, Haxhi Gashi, tha se bashkëpunimi nuk do të mungojë sa i përket fuqizimit të sistemit të drejtësisë.

“Ishte kënaqësi të jemi këtu, Vërtetë më 10 vjetorin e pavarësisë, diskutimi për ligjet është krucial, diskutuam për urat e bashkëpunimit për fakultetet juridike. Mendojmë që në të ardhmen fokusi do të jetë nga fakultetet juridike, dhe njohja për ligjet fillon nga fakultetet juridike. Këto takime ti kemi të përbashkëta të shohim”, tha Gashi.

Gjatë takimit ministri Tahiri e Profesori Gashi u pyetën në lidhje me anëtarë e fakultetit juridik dhe mos përfshirjen e tyre në Këshillim Prokurorial të Kosovës.

Ministri Tahiri tha se Këshilli Prokurorial është i pavarur dhe nuk i takon Ministrisë së Drejtësisë të flas në lidhje me këtë rast.

Profesori Haxhi Gashi, tha se janë dërguar emrat e përfaqësuesve, të cilat më pas këta emra janë kthyer prapë.

“Ne kemi dërguar emra për përfaqësues por na janë kthyer mbrapsht. Ne do t’i procedojmë emrat prapë dhe do t’i dërgojmë në kuvend”, tha Gashi.