Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri , së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, në një konferencë për media, kanë prezantuar agjendën e përbashkët “Drejtësia 2020”

Tahiri: 2020-ta koha kur drejtësia do të jetë plotësisht e besueshme

Së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj,  ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se agjenda e përbashkët  “Drejtësia 2020”, do të shënojë kthesën kur sistemi i drejtësisë në Kosovës do të jetë plotësisht i besueshëm dhe tërësisht funksional.

Para medieve,  Ministri Tahiri ka deklaruar se pas 18 vitesh tranzicioni, agjenda e përbashkët mes tri institucioneve ka qëllim ngritjen e progresit në sistemin e drejtësisë dhe rikthimin e plotë të besimit të qytetarëve në shtetin ligjor.

“Jemi përcaktuar që viti 2020 të jetë vit në të cilin nuk do të flitet më për temat e njëjta dhe vit në të cilin drejtësia kosovare do të funksionojë me efikasitet të plotë, dhe ku sistemi ynë i drejtësisë të jetë sistem plotësisht i besueshëm, llogaridhënës, i përgjegjshëm dhe në shërbim të plotë ndaj qytetarëve” ka theksuar ministri Tahiri.

Tahiri më tej ka shtuar se koordinimi mes institucioneve, që do të bëhet duke respektuar pavarësinë e plotë, neutralitetin dhe ndarjen e pushteteve, ndërsa brenda kësaj periudhe synohet edhe dhënia fund e shumë sfidave të drejtësisë në Kosovë.

“Brenda dy vitesh të zgjidhen disa prej sfidave më të mëdha të sistemit të drejtësisë, nga dhënia e fund e lëndëve të vjetra, ngritja e kapaciteteve dhe profilizimi i gjyqtarëve e prokurorëve, deri tek ristrukturimi i Mjekësisë Ligjore, Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Sprovues, si dhe fuqizimit të mekanizmave të zgjidhjes alternative të kontesteve përmes profesioneve të lira”, tha Tahiri.

Tahiri dha zotimin se qytetarët nuk do të duhet të presin përtej vitit 2021 për të pasur një proces gjyqësor në kohë të arsyeshme.

“Ne si institucione, nuk do të rrimë indiferent për asnjë moment, dhe nuk do të lejojmë që qytetarët tanë të presin me vite të tëra për përfundimin e një procesi gjyqësor. Nuk do të rrimë indiferent dhe të shohim bizneset tona që falimentojnë duke pritur përfundimin e rasteve gjyqësore. Nuk do të rrimë indiferent në asnjë moment para adresimit të përgjegjësisë kudo që është e nevojshme”, tha Tahiri.

Në fund të fjalës së tij, Tahiri u zotua se kjo është përpjekja më serioze e institucioneve të Kosovës për të forcuar shtetin ligjor.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka theksuar se institucionet janë më të suksesshme, më efikase dhe më të dobishme kur veprojnë në mënyrë të bashkërenduar, ndërkaq kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, theksoi se agjenda e përbashkët tregon përkushtimin për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Ambasadori Amerikan Greg Delawie, për të cilën kjo ngjarje ishte paraqitja e tij e fundit zyrtare, ka theksuar se “Drejtësia 2020” nuk është obligim ligjor, por është e bazuar në dëshirën e sinqertë për të përmirësuar sundimin e ligjit,  për të përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës.

Mbështetje në zbatimin e agjendës “Drejtësia 2020”, ka dhënë edhe shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, shef i Sektorit të Sundimit të Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Cezary Michalczuck si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Conoll.