Gjykimi i të akuzuarve në rastin “Syri i Popullit” – Foto: KALLXO.com

‘Syri i Popullit’, shikohen video-incizimet nga Aeroporti

Në gjykimin e anëtarëve të dyshuar të grupit “Syri i Popullit”, sot janë shikuar edhe një herë video-incizimet që kishin të bënin me të akuzuarin Sadri Ramabaja, i cili shihej të hynte në Aeroportin e Prishtinës, për të pritur bashkëshorten e tij.

I akuzuari pretendon se gjatë kësaj kohe, derisa priste në Aeroport, dikush i ishte afruar duke i thënë se duhet ta lëshojë Kosovën për një kohë ose do ta pësojë si ish-bashkëpartiaku i tij, Astrit Dehari, i cili ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej si i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Në këtë video-incizim shihej se derisa i akuzuari Ramabaja qëndronte në vend duke mbajtur në dorë telefonin e tij personal, i pashoqëruar, më pas kalonte një person tjetër nga ana e  djathë e tij i cili lëvizte në drejtim të drejtë dhe ndalet në shank, mirëpo i akuzuari nuk bënte asnjë veprim.

Më pas prokurori special Sylë Hoxha tha se askund në këtë video-incizim nuk shihet se i akuzuari Ramabaja ka kontaktuar me ndonjë person.

Por kundërshtime pati nga ana e mbrojtësit, avokatit Ramiz Krasniqi i cili deklaroi se prokurori nuk e ka parasysh mbrojtjen e të akuzuarit, ku sipas tij atë ditë Ramabajës i ishte afruar një person pa u ndalur dhe i kishte pëshpëritur se jeta jote është në rrezik dhe se do ta kesh fatin e Deharit dhe vëllezërve Kiqina.

https://kallxo.com/sadri-ramabaja-me-thane-se-mund-te-perfundoj-si-astrit-dehari/

Ndërsa kur u lëshuan video-incizimet në sallën e gjykimit ishin prezentë hetuesit policorë, së bashku me IT, mirëpo avokati Ramiz Krasniqi dhe klienti i tij nuk u pajtuan me prezencën e tyre në sallë.

Më pas kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi-Jashanica mori vendim që nga salla t’i largojë hetuesit.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Ragip Sallova, avokati Arsim Bilalli,  pati një propozim që në seancën e radhës prokurori të sjellë video-incizimet e plota që ishin bërë në odën e Sallovës, ku i akuzuari Murat Jashari kishte folur për disa hakmarrje dhe Sallova ia kishte ndërprerë fjalimin duke i thënë mos fol në odën time kështu.

Kryetarja e trupit gjykues një herë e aprovoi propozimin e avokatit Bilalli, ku edhe prokurori Hoxha tha se do i sjellë komplet video – incizimet në seancën e radhës, mirëpo më pas gjykatësja Krasniqi e refuzoi propozimin pa dhënë ndonjë arsye.

Në këtë seancë, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica njoftoi se ka kërkuar nga Gjykata përjashtimin e saj nga ky rast me arsyetimin se me të akuzuarin Sadri Ramabaja kishin punuar në një zyrë në kohën kur ajo kishte punuar në zyrën e kryeministrit.

Me këtë rast u zhvillua një debat mes gjyqtares dhe avokatit të të akuzuarit Ramabaja, i cili pretendonte se klienti i tij ka qenë drejtor i gjyqtares.

“Unë kam kërkuar që të përjashtohem  për këtë rast sepse në vitin 2005 kam punuar në zyrën  e kryeministrit  dhe kemi punuar në një zyrë me Sadri Ramabajën. Nuk e di pse mbrojtja dhe i akuzuari Ramabaja vazhdojnë  të insistojnë se unë kam pasur drejtor Ramabajën, kur nuk e kam pasur. Kryetarja e kësaj Gjykate e ka refuzuar këtë kërkesë”, deklaroi gjykatësja Krasniqi-Jashanica.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 23 maj, ku të akuzuarit do të japin mbrojtjen e tyre.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt të vitit të kaluar.

Pjesë e aktakuzës janë vepra penale duke filluar nga hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirija Luzha janë pjesë e aktakuzës që i ngarkon për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Murat Jashari po ashtu akuzohet për veprën penale të hakmarrjes lidhur me plagosjen e Azem Vllasit më 12 mars të vitit 2017.