Prezantimi i strategjisë për të drejtat e njeriut | Foto: KALLXO.com

Synohet Vetëdijesim për të Drejtat e të Margjinalizuarve

Dokumenti që u prezantua nga Koalicioni për të Drejta të Barabarta për të Gjithë ka në vete një plan veprimi për të drejtat e njeriut për vitet 2016-2022 dhe jep informacione për rëndësinë e këtyre të drejtave.

Jeta Bakija, menaxhere e këtij projekti nga Qendra Europiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë (ECMI Kosova), gjatë prezantimit tregoi se qëllimi i projektit është vetëdijesimi për të drejtat e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë-personave me aftësi të kufizuara, grave, rinisë, komunitetit LGBT, etj.

“Ne dëshirojmë të arrijmë deri tek publiku i gjerë dhe të ngremë vetëdijen lidhur me rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të barabarta të njeriut dhe të fokusohemi në grupet e margjinalizuara”, tha Bakija.

Ajo gjithashtu tha se koalicioni synon rritje të bashkëpunimit me organizatat tjera te shoqërisë civile nën lidershipin e Zyrës për Qeverisje të Mirë për mundësitë e barabarta kundër diskriminimit.

Aktorët dhe palët e interesuara ndërkombëtare që kanë monitoruar dhe raportuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, kanë kritikuar mungesën e fokusit, koordinimit, matjes se realizueshmërisë dhe në fund efektivitetit të bollëkut ekzistues të strategjive që lidhen me të drejtat e njeriut në Kosovë, thuhet në këtë raport.

Në panelin diskutues për raportin rreth strategjisë së të drejtave të njeriut, të pranishëm mes tjerësh iishin edhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Europian dhe Institucioni i Avokatit të Popullit.

Më 14 gusht 2015 nga Qeveria e Kosovës është marrë një vendim për të emëruar një ekip përgjegjës për hartimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit mbi të Drejtat e Njeriut. Sipas këtij vendimi, grupi është përbërë nga 28 anëtarë që përfaqësojnë institucionet përkatëse kosovare, shoqërinë civile si dhe aktorë ndërkombëtarë.

Zyra për Qeverisje të Mirë (ZQM) në Zyrën e Kryeministrit (ZKM) e udhëheq dhe e koordinon këtë proces.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri