Komuna e Vushtrrisë - Foto: Facebook

Synohen 1000 vende të reja të punës në Vushtrri

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka licencuar Zonën Ekonomike në fshatin Lumadh në Vushtrri, ndërsa kryetari i kësaj komune Xhefer Tahiri pret rritje të punësimit prej saj.

Zona ekonomike e licencuar ndodhet në fshatin Lumadh të Vushtrrisë, ndërsa Tahiri pret që të krijohen 1000 vende të reja pune.

“Synimi është që të krijohen diku deri në 1000 vende të reja të punës  në këto biznese. Kjo do të ndikojë në rritjen e punësimit në Vushtrri”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Ai deklaroi se krijimi i zonës ekonomike ishte premtimi kryesor elektoral, i cili po realizohet brenda 100 ditëve të qeverisjes së re në Vushtrri.

Xhafer Tahiri tha për KALLXO.com se për Zonën Ekonomike në fshatin Lumadh është siguruar buxhet prej 1.2 milionë eurove nga Kuvendi i Kosovës.

Prej këtij buxheti, sipas Tahirit, Kuvendi do të ndajë për tre vjet nga 400 mijë euro.

Përmes një postimi në facebook, licencimin e zonës ekonomike në Vushtrri e bëri të ditur edhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani.

Edhe ministri Hasani tha se beson që në këtë zonë industriale do të krijohen vende të reja pune.

“Prona e paluajtshme në të cilën themelohet kjo zonë ekonomike është e regjistruar në emër të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë dhe është në sipërfaqe prej 14. 86, 00 ha. Besoj që me hapjen e kësaj zone do të mundësohet krijimi i vendeve të reja të punës, të cilat do të ndikonin në zbutjen e varfërisë në këtë komunë”, ka shkruar Hasani.