‘Swimrankings’ reagon në deklaratat e Sekretarit të Federatës të Notit të Kosovës

Një platformë ndërkombëtare që rangon rezultatet e notuesve nëpër botë,  nuk po konsiderohet e rëndësishme në kualifikimin e notarëve nga Sekretari i Federatës së Notit në Kosovë.

Astrit Haliti, Sekretar në FNK mohoi që rezultatet më të mira të një notuesi të pasqyrura në këtë platformë do të ishin të mjaftueshme për kualifkimin në gara botërore të notit.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ që të enjten iu kushtua sportit të notit, u diskutuan edhe ankesat e disa notarëve të rinj në lidhje me diskriminimin që pretendojnë se iu është bërë nga FNK-ja.

Në debatin e organizuar për këtë çështje u diskutua rasti i notares, Sara Imeri.

Luigj Imeri, babai i Sara Imerit tha se vajza e tij nuk ishte përzgjedhur për gara ndërkombëtare megjithëse kishte pasur rezultatet më të mira në vend.

Lidhur me këtë, Haliti tha se ‘Swimrankings’ nuk mund të jetë pikë referimi për përzgjedhje të notarëve për përfaqësim në gara.

“A e din ti çfarë është swimrankings? Swimrankings mundem me shkru edhe unë sot. Është me bazë në Zvicërr. FINA, Federata Botërore e Notit dhe evropiane e kanë një kalendar dhe në atë kalendar i pranojnë disa gara dhe në ato gara shkruan janë gara kualifikuese dhe janë gara që mundet ti mbajë një klub prej federatës dhe nuk është naj farë problemi”, tha Haliti.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i platformës, Christian Kaufmann, në një përgjigje për Jeta Xharrën tregoi mënyrën e funksionimit të kësaj platforme.

“Në swimrankings.net ofroj një shërbim për të drejtuar rangimin për federatat. Aktualisht kjo është përdorur nga LEN (vetëm rezultatet më të mira, më shumë se 600 pika FINA) dhe disa vende në Evropë dhe Kanada.Mbledh rezultatet dhe mbaj bazën e të dhënave si një shërbim. Rezultatet duhet të dërgohen në një format të përbashkët elektronik. “Lenex” është ai i preferuari. Me kontratën LEN ( Liga Evropiane e Notit), renditjet e sezonit kombëtar janë të përfshira për të gjitha federatat evropiane. Për renditjen e detajuar në nivel kombëtar (alltime, grupmoshat) ju nevojitet një marrëveshje shtesë”, thuhet në përgjigjen e Kaufmman.

Në dokumentet e dërguara nga Kaufmann thuhet se rezultatet për notarët dërgohen nga Federatat Shtetërore të cilat duhet të dërgojnë edhe numra kontakti.

Kaufmman ka dërguar po ashtu një dokument që shpjegon detajet e funksionimit të kësaj platforme.

Në hulumtimin e ‘Jeta në Kosovë’, flitet për parregullsitë në udhëheqësinë e Federatës së Notit të Kosovës dhe akuza të tjera për diskriminime ndaj notarëve të rinj kosovarë.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: