Sveçla Përsëri në Gjykimin e Inspektorëve

Xhelal Sveçla sot po merret në pyetje nga avokatët e të akuzuarve.

Sveçla dëshmoi edhe më 5 prill kur tha se 36 objektet për të cilat akuzohen 10 ish-inspektorët e  Komunës së Prishtinës kanë hyrë në procesin e legalizimit.

Atë ditë Sveçla gjithashtu tha se disa objekte që tejkaluan lejen e ndërtimit u rrënuan në ato pjesë.

http://kallxo.com/svecla-deshmitar-ne-gjykimin-e-ish-inspektoreve/

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspekcionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Sveçla ishte paraparë të dëshmonte në këtë proces më 20 janar dhe 18 shkurt, por nuk paraqitej në gjykatë ngase kërkohej si i akuzuar për rastin e dëmtimit të makinave të EULEX-it në vitin 2009 nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

Për dëmtimin e makinave të EULEX-it Sveçla u arrestua më 16 mars dhe pas seancës së këtij gjykimi atij nuk iu caktua masë sigurie.

http://kallxo.com/xhelal-svecla-nuk-shkon-ne-gjykimin-e-ish-inspektoreve/

http://kallxo.com/mungon-xhelal-svecla-ne-gjykimin-e-ish-inspektoreve/

http://kallxo.com/arrestohet-xhelal-svecla/