Agron Mustafa | Foto: Facebook

Suspendohet Polici i Përfshirë në Incidentin me Agron Mustafën

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e IPK-së, kanë vazhduar gjatë ditës së sotme me ndërmarrjen e veprimeve hetimore drejt ndriçimit të incidentit të djeshëm që kishte ndodhur në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë.

Sipas një komunikate të Inspektoriatit, bazuar në këto veprime hetimore që janë ndërmarrë në konsultim me prokurorin kompetent, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për zyrtarin policor A.B. si i dyshuar në incidentin e djeshëm.

“Policia e Kosovës bazuar në rekomandimin e dhënë nga IPK-ja ka miratuar rekomandimin e IPK-së duke suspenduar zyrtarin në fjalë. Pas veprimeve hetimore që janë ndërmarrë dje por edhe sot gjatë ditës nga hetuesit e IPK-së dhe prokurori kompetent, qytetari i përfshirë në këtë incident (drejtori i PTK-së z. Agron Mustafa) cilësohet si viktimë në këtë rast. Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë me ndërmarrjen edhe të veprimeve tjera hetimore në koordinim edhe me prokurorin (duke përfshirë ekzaminimin e disa video-incizimeve, intervistimin e dëshmitarëve etj) deri në ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit.

Përndryshe, dje një zyrtar policor ka sulmuar drejtorin e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafën. /21Media

http://kallxo.com/zyrtare-ipk-nuk-heton-nazim-sahitin-per-sulmin-ndaj-agron-mustafes/