Suspendohet nga puna motra e kryetarit të bordit të SHSKUK-së

Komisioni disiplinor brenda Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka suspenduar nga puna doktoreshën Iliriana Ramadani e cila thuhet se nuk ka respektuar orarin e punës në Klinikën e Psikiatrisë.

Doktoresha Ramadani është motra e drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadanit njëherit edhe kryetar i bordit të SHSKUK-së.

“Zyra e drejtorit të SHSKUK, ju konfirmon se pas procedimit në Komision Disiplinor të punëtores shëndetësore I.R nga klinika përkatëse, Komisioni pas shyrtimit të provave dhe fakteve ka dhënë masën disiplinore, Suspendim i përkohshëm (6) muaj për shkeljet e detyrave të punës , mos respektinin e orarit të punës.”, thuhet në vendim.

Si mëson KALLXO.com për Ramadanin ka pasur ankesa të vazhdueshme për mungesa në punë.

Çdo palë e pakënaqur me vendimin për suspendim ka të drejtë për ankesë në komisionin e ankesave brenda SHSKUK-së.