Ramadan Muja, kryetar i Prizrenit

Supremja Kthen në Apel Vendimin për Ramadan Mujën

Në vendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Supremja e ka dërguar këtë rast sërish në Gjykatën e Apelit për rivendosje të aktgjykimit të shkallës së parë.

Në këtë mënyrë, Gjykata Supreme ka pranuar ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të shtatorit të këtij viti që rasti ndaj Mujës të kthehet në Gjykatën Themelore të Prizrenit për rivendosje.

Gjykata Supreme, vendosi që aktvendimi i apeluar të anulohet dhe lënda t’ i kthehet Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një trup i ri gjykues.

Në arsyetimin e Gjykatës Supreme ndër të tjera thuhet se ekziston një mospërputhje e dukshme në mes të vlerësimit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme sa i përket mundësisë për të proceduar me shqyrtimin e meritave të lëndës nga Apeli.

Duke u nisur nga ky fakt Gjykata Supreme, ka vendosur që lënda të kthehet në Gjykatën e Apelit për rishqyrtim nga një kolegj i ri.

“Secili vendim i Gjykatës së Apelit duhet patjetër të jetë i bazuar në vlerësimin e plotë dhe të hollësishëm të faktorëve relevant dhe të jetë i arsyetuar në mënyrë të duhur. Fatkeqësisht, kjo nuk është bërë nga Gjykata e Apelit në aktvendimin e kundërshtuar, andaj është vendosur që lënda t’ i kthehet Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një trup i ri gjykues” thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Ndaj kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë komunalë, nga Prokuroria e Shtetit u ngrit aktakuzë për Keqpërdorim të detyrës zyrtare në muajin shkurt të vitit 2013. Në muajin mars të atij viti u mbajt shqyrtimi fillestar, ndërsa shqyrtimi kryesor filloi në gusht të vitit 2013 dhe pas 29 seancave gjyqësore të mbajtura, me 13 mars 2014 trupi gjykues shpalli aktgjykim me të cilin i gjeti fajtorë dhe i dënoi me dënime me kusht të akuzuarit.

Kundër këtij aktgjykimi, mbrojtja kishte parqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit, pas gati një viti e gjysmë kishte vendosur që lënda të kthehej në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në Prizren, për shkak se kishte konkluduar se ishin bërë shkelje esenciale në përmbajtjen e aktgjykimit të shkallës së parë.

Duke qenë si rast i kthyer zyrtarisht në rigjykim, gjykata e shkallës së parë në Prizren, në muajin tetor caktoi seancat për rastin Muja, mirëpo në ndërkohë Prokuroria e pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme, e cila bëri që seancat e caktuar për rigjykim në Prizren mos të mbahen deri në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme.