Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Supremja i vërteton pafajësinë Salih Mekajt

Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar mjetin e jashtëzakonshëm juridik të ushtruar nga Prokuroria duke i dhënë kështu vulën e pafajësisë ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Kështu njoftoi kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci në konferencën ku prezantoi punën e Gjykatës Supreme gjatë vitit 2018.

“Me aq sa kam unë informacion në lidhje me këtë rast, nuk janë gjetur shkelje të gjykatave më të ulëta dhe rasti është vërtetuar”, tha Peci.

Mekaj që fillimisht akuzohej për keqpërdorim të detyrës, pas një procesi gjyqësor që u zhvillua tërësisht prapa dyerve të mbyllura u shpall i pafajshëm, sikurse edhe 3 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti.

Ky aktgjykim, në nëntor të vitit të kaluar ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, që Mekaj dikur e drejtonte.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në rastin e katër  të akuzuarve. Aktgjykimi  i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 28.05.2018, është vërtetuar”, thuhej në njoftimin e Apelit.

Përveç Mekajt, aktgjykimi lirues ishte vërtetuar edhe ndaj të akuzuarve tjerë të këtij rasti.

“Me anë të këtij aktgjykimi të akuzuarit S.M.,V.G.,M.S. dhe A.S. konform nenit 364 par.1 pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës , janë liruar nga akuza”, thuhej në njoftimin e Apelit.

I akuzuari i parë  është liruar nga akuza për shkak të veprës penale: “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E akuzuara V.G. për shkak të veprës penale: “Shtytje në kryerjen e veprës penale Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 lidhur me nenin 32 i të njëjtit kod.

Kjo e fundit po ashtu së bashku më  të akuzuari M.S. dhe A.S,  janë liruar nga akuza edhe për veprën penale në bashkëkryerje “Dhënia e ryshfetit në tentativë” nga neni 429 par.3 lidhur me par.1 dhe lidhur me nenin 28 dhe 31 të  po këtij ligji.

Gjykata Supereme konstaton se në aktgjykimin e atakuar nuk evidentohen shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë dhe se nuk ka shkelje as të ligjit penal.

I gjithë procesi ndaj Mekajt dhe të akuzuarve të tjerë  ishte zhvilluar prapa syve të publikut pasi gjyqtari Shashivar Hoti e kishte mbyllur këtë seancë.

Për një pikë të akuzës që e ngarkonte Mekajn për keqpërdorim të detyrës ishte refuzuar qysh në fazën fillestare të gjykimit.

Aktakuza në këtë rast ishte ngritur më 31 maj të vitit 2016.

“S.M, i premtoi   të pandehurës  V. G. se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ri cilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi”, thuhej në njoftimin e Apelit.

Rasti Mekaj ishte njëri prej rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.