Vehbi Kajtazi| Foto: Insajderi

Sulmohet Gazetari Vehbi Kajtazi

 

Vehbi Kajtazi, kryeredaktori i Gazetës Insajderi është sulmuar sot në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës Florie Ahmeti-Haziraj tha për KALLXO.com se një rast sulmi që ka ndodhur 40 minuta më herët po hetohet nga policia.

“Rreth orës 14:30 është hapur rast për sulm në qendër të qytetit. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Policia është duke u marrë dhe hetuar rastin”, tha Ahmeti-Haziraj.

Rreth këtij sulmi reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK e dënoi sulmin fizik ndaj Vehbi Kajtazit dhe u bëri thirrje institucioneve përkatëse që ta hetojnë sa më parë këtë rast.

“Kolegu Kajtazi ka qenë cak i sulmeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme edhe ne të kaluarën. Fatkeqësisht disa nga këto raste ende nuk janë zbuluar, ndërkohë që ne presim hetime të pavarura dhe epilog të shpejt. Hetimet për këtë rast duhet të dërgojnë në hetim të mirëfilltë të të gjitha dyshimeve. AGK do të monitorojë këtë rast duke i dhënë mbështetje kolegut Kajtazi në këtë situatë të rëndë për te. Sulme të tilla paraqesin shqetësim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e mediave në vendin tonë” thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, numri i rasteve të dhunës ndaj gazetarëve këtë vit ka shënuar rritje të konsiderueshme.

Sulmin ndaj Vehbi Kajtazit e dënoi edhe Kryeministri Ramush haradinaj në mbledhjen e sotme të qeverisë.

“Derisa jemi në mbledhje e kam marrë ni lajm për ni sulm fizik të gazetarit Vehbi Kajtazi. Ne e dënojmë një akt të tillë, jo veç ndaj gazetarit Kajtazi, por mbi çdo gazetar. Si qeveri jemi zotu me bashkëpunu me media”, tha Haradinaj.

Për sulmin ndaj Kajtazit raportoi edhe Gazeta Insajderi.

Më 16 gusht, viktimë e një sulmi të ngjashëm ishte edhe drejtori i Insajderit, Parim Olluri.