Sulmohet Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosjes     

Sipas një njoftimi të LVV-së, Kabashi është sulmuar mbrëmë nga persona të panjohur.

“Rreth orës 23:35, persona të panjohur kanë sulmuar aktivistin Agron Kabashi, i cili kishte shoqëruar me veturë Sekretarin Organizativ, Dardan Molliqaj, në studiot e Klan Kosovës, për xhirimin e një emisioni”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Sulmi ndaj Kabashit ndodhi para banesës së Molliqajt në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1 në kryeqytet.

Në njoftim thuhet edhe se Kabashi është goditur me shufra metalike nga të cilat ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në QKUK.

“Po ashtu, këta persona e kanë kërcënuar aktivistin Kabashi dhe i kanë thënë që të mos e shoqërojë më asnjëherë Molliqajn, gjë që tregon se sulmi ka motive politike dhe është sulm ndaj Sekretarit Organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në njoftim

Gjendja e Kabashit, sipas LVV-së, është e mirë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe zëdhënësen e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj, e cila tha se rasti është duke u hetuar dhe deri më tani nuk është identifikuar asnjë person lidhur me sulmin.

“Puna hetimore e policisë është fokusuar në identifikimin e të dyshuarve me qëllim kapjen e tyre si dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë rast”, tha Haziraj.