Dritaret e thyera në një xhami në Birmingham, Foto: CNN

Sulmohen 5 xhami në Birmingham të Anglisë

Njësia e Policisë kundër terrorizmit ka nisur një hetim pasi pesë xhami në qytetin britanik të Birminghamit janë sulmuar gjatë ditës së sotme.

Policia e West Midlands u përgjigj fillimisht në raportin se një person po dëmtonte dritaret e një xhamie në veri të qytetit anglez, me një çekan në orën 2:32 të mëngjesit. Kur oficerët arritën në vendin e ngjarjes, ata zbuluan se sulmi kishte ndodhur disa kohë më parë, raporton CNN.

Në më pak se një orë, Policia u thirr më pas për një sulm të ngjashëm në një xhami aty pranë, dhe oficerët pastaj filluan patrullime përreth dy vendeve të tjera të objekteve fetare, ku zbuluan dëme të tjera.

Në orën 10:03, zyrtarët morën thirrje për sulmin e pestë në një xhami tjetër ku ishin dëmtuar dritaret.

Policia e West Midlands njoftoi se po i trajton sulmet si “të lidhura në mes vete”, por vuri në dukje se motivi mbetet nën hetim.

Oficerët mjeko-ligjorë po punojnë aktualisht në skenë për të identifikuar provat, dhe pamjet e CCTV po shqyrtohen.

Këshilltari Majid Mahmood i përshkroi sulmet në Twitter si “të neveritshme” dhe tha se myslimanet “kishin frikë pas sulmeve terroriste në Christchurch” javën e kaluar.

Sekretari e Shtetit Britanik, Sajid Javid gjithashtu tha se këto ngjarje janë “thellësisht shqetësuese dhe e hidhur”. “Më lejoni të jem e qartë – urrejtja nuk ka absolutisht asnjë vend në shoqërinë tonë dhe nuk do të pranohet kurrë”, shkroi ai në Twitter.

Sulmet vijnë më pak se një javë pas sulmit në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re, ku mbetën të vdekur 50 persona dhe shumë të tjerë të plagosur.

Shefi i Policisë në West Midlands, Dave Thompson u shpreh i tronditur për sulmin dhe vuri në dukje se oficerët po punojnë ngushtë me krerët fetarë.

“Që nga ngjarjet tragjike në Christchurch, të Zelandës së Re, oficerët dhe stafi nga Policia e West Midlands kanë punuar ngushtë me krerët fetarë në të gjithë rajonin për të ofruar siguri dhe mbështetje në xhami, kisha dhe vende të tjera lutjesh”, tha ai në një deklaratë.

“Në këtë kohë të vështirë, është tepër e rëndësishme që të gjithë të bashkuar kundër atyre që kërkojnë të krijojnë mosmarrëveshje, pasiguri dhe frikë në komunitetet tona”, shtoi Thompson.

Policia e West Midlands dhe komisioneri i krimit, David Jamieson shtuan: “Sulmet e kësaj natyre nuk kanë vend në komunitetin tonë dhe nuk do të tolerohen. Unë dua t’u siguroj njerëzve se Policia e West Midlands po bën gjithçka që mund t’i sjellë autorët para drejtësisë”.