Suhareka Zgjedh Fermerët e Vitit

Komuna e Suharekës ka organizuar për të katërmbëdhjetën herë me radhë Ekspozitën e Grurit, në të cilën fermerë të shumtë ekspozuan bereqetin e tyre të sivjetmë.

Me këtë rast, Drejtoria e Bujqësisë shpalli fermerët më të mirë për vitin 2016 dhe si shpërblim simbolik atyre iu dhanë nga 250 kilogramë farë gruri.

Fitues u shpallën Ahmet Trolli nga Dragaqina, Ramadan Elshani nga Sllapuzhani, Xhavit Shala nga Mushtishti dhe Hajrush Kryeziu nga Suhareka.

Fermeri Ramadan Elshani tregon për KALLXO.com se sa hektarë i kishte të mbjella sivjet dhe cilat janë planet e tij.

“Unë i kam të mbjella 74 hektarë me grurë dhe 30 hektarë misër. Gruri ka paguar shumë mirë sivjet – deri në 7,000 kilogramë hektari”, tha Elshani dhe shtoi se po planifikon që në komunën e Gjakovës t’i marrë për të mbjellë për vitin e ardhshëm edhe 200 hektarë.

Fermeri Elshani tha se Komuna shumë pak po i ndihmon. Për investimet dhe të arriturat e tij ai falënderoi vëllezërit e tij në Zvicër.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, u bëri thirrje fermerëve që ta punojnë sa më shumë tokën.

“Është kënaqësi me marrë pjesë në kësi manifestime ku bëhet një rezyme e prodhuesve më të mirë të grurit dhe për fat të mirë sivjet kemi çka me zgjedhë, sepse sa kam informacion unë, prodhimet e grurit kanë qenë shumë më të larta se vitet tjera”, tha ai.

Po ashtu, të gjithë fermerëve të pranishëm në Ekspozitën e Grurit nga organizata austriake që merret me bujqësi “Local Development Fund” iu dha si dhuratë nga një makinë për spërkatjen e pemëve.