Suhareka Pret në Ankth Zjarret e Verës

Njësia për Shpëtim dhe Zjarrfikës në komunën e Suharekës po kërkon trefishin e stafit që ka aktualisht për t’u bërë ballë emergjencave.

Aktualisht në këtë njësi që përkujdeset 24 orë për thirrjet e qytetarëve, punojnë 14 veta, por drejtues të tij thonë se për ta kryer punën si duhet, nevojiten edhe 40 zjarrfikës.

Kjo njësi punon me ndërrime, 3 zjarrfikës në një ndërrim, ndërsa për intervenim shkojnë vetëm 2 zjarrfikës, ndërsa kur ndodh që të bëhen dy thirrje në të njëjtën kohë, atëherë vetë zjarrfikësit duhet të vendosin se cili rast është më urgjent për të intervenuar.

Vehbi Krasniqi, udhëheqës i njësisë për shpëtim dhe zjarrfikës në Suharekë, tha për KALLXO.com, se njësia që e drejton  probleme me numrin e vogël të punëtorëve, që ndikon direkt edhe në intervenimet në teren.

“Një ekip për të qenë sa më i suksesshëm në intervenim, duhet të ketë minimumi 5 zjarrfikës, kurse ne në intervenim shkojmë me dy zjarrfikës”, tha Krasniqi.

Kur po i afrohet stina e verës dhe emergjencat janë më të shpeshta, kjo njësi ka bërë kërkesë në komunën e Suharekës, për 10 punëtorë sezonalë, për t’i përmbushur kërkesat sado pak, gjatë verës.

Nënkryetari i komunës së Suharekës Rexhep Kuqi, tha për KALLXO.com, se janë të njoftuar me problemet që ka kjo njësi, por zjarrfikësit.

Ai tha se kanë pranuar kërkesën dhe kanë planifikuar që gjatë muajit të verës të marrin 10 punëtorë sezonalë.

“Ne planifikojmë që gjatë tre muajve të verës të marrin 10 punëtorë sezonalë, kuptohet paguhen me kontrata mbi vepër”, tha Kuqi.

Në pamundësi për t’i përmbushur nevojat që ka Njësiti, Nënkryetari i komunës bën apel te qytetarët që të jenë më të kujdesshëm me zjarrin gjatë verës.

“Shpresojmë që edhe qytetarët të jenë më të vëmendshëm gjatë punëve që i bëjnë në fushë, sidomos gjatë muajit korrik, gjatë korrjeve së grurit, kur ka raste kur i djegin arnishtat”, tha Kuqi.