Studiuesi Isak Shema boton librin për veprimtarinë e Faik Konicës në Bruksel

Faik Konica njihet si ndër intelektualët më të përgatitur shqiptar të fund shekullit 19-të dhe pjesës së dytë të shkulit të 20-të.  Duke lëvizur nga një shtet evropian në tjetrin Konica la gjurmë me interes kombëtar, sidomos me botimin e revistave dhe pikëpamjet e tij për kulturën dhe aspekte tjera për shqiptarët.

Një kontribut në këtë aspekt Konica zhvilloi edhe gjatë qëndrimit të tij 6 vjeçar në Bruksel. Pikërisht kjo periudhë është përmbledhur në librin “Veprimtaria e Faik Konicës- Bruksel 1896-1092”, të Isak Shemës, studim i cili u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

Në këtë studim studiuesi Shema ka përmbledhur dokumente të njohura dhe të panjohura lidhur me veprimtarinë e Konicës në Bruksel, gjatë 6 vjetëve sa Konica qëndroi në këtë qytet.

Duke folur për librin studiuesi Hysen Matoshi, ka thënë se botimi i këtij libri është rezultat i interesimeve të autorit për veprimtarinë e Konicës.

“Libri sjell materiale edhe nga hulumtimi i tij bën në Arkivin e përgjithshëm mbretëror në Bruksel lidhur me aspekte të jetës dhe veprimtarisë së Konicës gjatë kohës sa ai jetoi në këtë qytet”, ka thënë Matoshi.

Për librin ka folur edhe shkrimtari dhe studiuesi Sali Bashota, sipas të cilit studimi “Veprimtaria e Faki Konicës- Bruksel 1896-1092”  është përmbledhur përmes analizave, vlerësimeve, kritikave, tekste e dokumente që botohen për herë të parë apo janë botuar për Konicën.

“Edhe ky studim, sikurse studimet tjera që kanë të bëjnë me Faik Konicën përbën një shenj të veçantë”, ka thënë Bashota.

Kurse studiuesja Shefkije Islamaj, ka pohuar se ky libër i kushtohet veprimtarisë atdhetare, kulturore dhe letrare të Konicës në Bruksel.

“Libri ndahet në tri pjesë, dhe përmban shkrimet të ndryshme që prezantojnë jetën  dhe veprimtarinë kulturore dhe atdhetare, dokumente arkivore, e administrative, etj.”, ka thënë studiuesja Islamaj.