Ministri Hoti dhe ish-rektori Zejnullahu nënshkruajnë memorandumin e bashkëpunimit

Studentit Praktikant Nuk i Jepen Pagat

Një memorandum i nënshkruar në janar të këtij viti në mes të Avdullah Hotit, ministër i Financave dhe ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, ishte pritur shumë mirë nga studentët.

Kjo për arsye se studentëve të Universitetit “Hasan Prishtina” kjo marrëveshje u mundësonte që të bëjnë tre muaj praktikë në institucionet që janë nën kompetencën e Ministrisë së Financave dhe për punën e tyre ata do të paguheshin.

Egzon Dina është njëri prej studentëve të përzgjedhur në ciklin e parë për ta kryer praktikën.

Mirëpo, ndonëse e ka kryer punën, ai nuk është paguar ashtu siç e parasheh memorandumi i nënshkruar mes Ministrisë së Financave dhe UP-së.

Të njëjtin problem me mospagesën për asnjërin muaj Egzoni thotë se e kanë të gjithë studentët që sikur ai praktikën e kanë kryer në Doganë.

“Unë jam kontraktuar nga ky institucion me datën 10.05.2016 në cilësinë e praktikantit. Në kontratë thuhej se llogariteshim si të gjithë punëtorët e tjerë për 3 muaj dhe se paga ime bruto është 100 euro. Mirëpo kanë kaluar qe 2 muaj dhe ne ende nuk kemi pranuar as pagën e muajit të parë. Të njëjtin problem e kemi të gjithë praktikantët në Doganë”, ka treguar ai për KALLXO.com.

Egzoni thotë se për problemin e kanë njoftuar ministrin Hoti por se, sipas tij, nuk është bërë asgjë.

“Zyrtarë të Doganës ia hedhin fajin Ministrisë për mosplanifikim të buxhetit për pagat e praktikantëve ndërsa këta ua hedhin fajin atyre për papërgjegjësi… Ajo që na shqetëson neve është që ne nuk kemi marrë pagat ashtu siç thuhej në kontratë”, thotë Egzoni.

KALLXO.com është interesuar dhe ka kontaktuar Doganën e Kosovës. Në një përgjigje përmes telefonit, zyrtarë të këtij institucioni fajin ia hedhin Ministrisë së Financave, e cila sipas tyre duhet t’i dërgojë mjetet në mënyrë që të bëhet pagesa për studentët.

“Ministria e Financave ia qet buxhetin Doganës për rroga, na e shpërndajmë… Ministria e ka buxhetin edhe e dërgon te institucionet tjera. Në momentin që na shpërndan, na i bëjmë pagesat”, tha Adriatik Stavileci, zyrtar për media i Doganës së Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Ardita Dushin, zyrtare për media e Ministrisë së Financave. Ajo tha se mospagesa për studentët ka qenë si pasojë e rishikimit të buxhetit.

“Deri sa të kryhet rishikimi i buxhetit nuk lejohen shpenzime për shkak të tabelave… Sot ose nesër i marrin të gjithë ata që kanë mbetë mbrapa, sepse tani ka kalu rishikimi, është lëshu sistemi”, ka thënë të martën Dushi në një përgjigje përmes telefonit.

Megjithatë, studenti Egzon Dina i kontaktuar të premten në mbrëmje ka thënë se nuk i ka dalë ende paga.

Ndërsa, në rektoratin e Universitetit të Prishtinës thonë se për herë të parë po dëgjojnë diçka të tillë.

“Ne nuk kemi asnjë ankesë me shkrim dhe për ankesat e studentëve po dëgjoj vetëm nga ju. Në momentin kur kemi ndonjë ankesë nga studentët ne normalisht që do të marrim masa dhe do të kërkojmë që marrëveshja të zbatohet në mënyrë konsekuente”, ka thënë prorektori i UP-së, Afrim Hoti.

KALLXO.com ka raportuar kur është nënshkruar marrëveshja në mes të ministrit Hoti dhe ish-rektorit Zejnullahu.

http://kallxo.com/praktike-e-studenteve-ne-ministrine-e-financave/