Protesta para rektoratit | Foto: KALLXO.com

Studentët me Muzikë Kërkojnë Rritje të Bursave

Organizata studentore “Reforma Studentore” zhvilloi sot një aktivitet para rektoratit të UP-së në të cilin u kërkua që të rriten bursat studentore.

“Ne kërkojmë që vendimi të kthehet në rishqyrtim dhe të rritet bursa studentore. Sot Këshilli do të mbajë mbledhje dhe ne kërkojmë që ta shqyrtojnë kërkesën tonë për rritje të bursës studentore”, tha në protestë Shkumbin Bytyqi nga organizata “Reforma Studentore”.

Ai deklaroi më tutje se nëse Këshilli Drejtues i UP-së nuk vendos që bursat të rriten, organizata do të kërkojë shkarkimin e këtij këshilli.

“Në rast se Këshilli nuk merr vendim që bursa të rritet ne do të kërkojmë që ky Këshill të shkarkohet”, tha Bytyqi.

Ai më pas paralajmëroi “studentët e Arteve të Bukura nga Departamenti i Muzikës do të performojnë” dhe pastaj protesta vazhdoi me këngë t6ë grupeve kosovare që kryesisht ftojnë për zgjim dhe ndryshim të gjendjes.

Këshilli Drejtues i UP-së mori vendim në dhjetor të vitit që shkoi që të ulë shumën e bursave për studentë nga 600 në 500 euro.

http://kallxo.com/up-ul-shumen-e-bursave-per-studentet-dokument/

Studentët po kërkojnë që shuma e bursës të jetë 900 euro, ashtu siç ishte disa vjet më parë.

Kërkesat e studentëve i ka përkrahur edhe ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi që ka kërkuar që bursat të jenë të dinjitetshme.