Strategjia për kulturë, MKRS mbledhë grupin punues

Ministria e Kulturës ka mbledhur gjatë ditës së sotme, 18 tetor 2018, grupin punues për hartimin e Strategjisë për kulturë, një dokument ky i cili sipas MKRS-së pritet të jetë një dokument i ri strategjik, gjithëpërfshirës për fushën e kulturës.

Grupi punues i cili përfshinë edhe drejtuesit e institucioneve qendrore kulturore në vend është pritur nga ministri i Kulturës Kujtim Gashi, i cili i ofroi përkrahjen e plotë të MKRS-së grupit punues.

Me këtë rast ministri Gashi ka thënë se strategjia e cila do të hartohet do të jetë dokument që orienton për vlera të mirëfillta krijuese e kulturore, me objektiva të arritshme dhe të qarta.

“Si ministri do të kemi kujdes të veçantë dhe do të përpiqemi që buxheti për kulturë të rritet edhe më shumë sepse përmes fushës së kulturës mbahet lart shpresa në shoqëri dhe krijohet një imazh edhe për Kosovën brenda dhe jashtë saj”, ka pohuar Gashi gjatë takimit me grupin punues.

Në grupin punues të përpilimit të këtij dokumenti strategjik për fushën e kulturës do të  përfshihen edhe përfaqësues të organizatave qendrore të kulturës, të nivelit lokal, ekspertë të fushës dhe nga shoqëria civile.

Gjithashtu, në faza të ndryshme të procesit do të konsultohen edhe ekspertë ndërkombëtarë.