Jens Stoltenberg, sekretari i NATO-s

Stoltenberg ia përsërit Haradinajt: Nuk është koha për themelimin e ushtrisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka ripërsëritur qëndrimin e tij karshi transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Ai ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj , ku i ka treguar qëndrimin zyrtar të NATO-s kundër themelimit të Ushtrisë.

“Sot kam thirrur edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn që t’i informojë për rezultatin e takimit të së mërkurës të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Unë nënvizova se si Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë qetësi dhe përmbajtje, dhe të shmangin çdo deklaratë ose veprim provokues”,është bërë e ditur në një njoftim.

Stoltenberg ka thënë se ky veprim është i paarsyeshëm dhe se nëse kjo gjë bëhet atëherë NATO do të ri mendojë ndihmën që i jep FSK-së.

“Me z. Haradinaj, bisedova për planin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri. Unë theksova se një veprim i tillë është i paarsyeshëm, shkon kundër këshillës së shumë aleatëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja negative në perspektivat e Kosovës për integrimin euroatlantik. Kam përsëritur se nëse duhet të evoluojë mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës, NATO do të duhet të shqyrtojë nivelin e angazhimit tonë me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, është thënë në njoftim.

Ndërsa sipas këtij njoftimi, me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq shefi i NATO-s ka biseduar në lidhje me rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi.

“Unë gjithashtu fola me presidentin Vuçiq për nevojën e heqjes së tensioneve aktuale. U kujtova të dyja se dialogu i ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës mbetet e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. NATO mbetet e angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës përmes misionit paqeruajtës të KFOR-it, i mandatuar nga OKB”, përfundon njoftimi.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar Prishtinën zyrtare se do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Kjo deklaratë erdhi pasi projektligji për thememelimin e Ushtrisë ka kaluar në të gjitha komisionet dhe pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës.

https://kallxo.com/haradinaj-bisedon-me-telefon-me-shefin-e-nato-s-per-fsk-ne/

 

 

https://kallxo.com/nato-ia-terheq-verejtjen-kosoves-per-ushtrine/