Nga konferenca për të ardhmen e FSK-së | Foto: KALLXO.com

Stojanoviq : Respektoj të Gjitha Institucionet

Në konferencën në Prishtinë ku po diskutohet për të ardhmen e FSK-së, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq tha se respekton institucionet e Kosovës.

Berat Buzhala që do të jetë pjesë e njërit nga dy panelet e këtij diskutimi, e pyeti Stojanoviqin se a e pranoni Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe nëse jo , a është kjo arsyeja që e refuzoni themelimin e ushtrisë.

Stojanoviq tha se kjo pyetje i bëhet shpesh.

“Këtë pyetje ma keni bërë çdo herë, jeni duke e personalizuar çështjen. Unë i respektoj të gjitha institucionet dhe punoj në bazë të ligjeve. Kaq është përgjigjja ime për pyetjen tuaj “, tha Stojanoviq.

Dhjetë ditë më parë deputetët dhe ministrat e Listës Serbe i dhanë fund bojkotit institucional, pak pa u bërë gjashtë muaj nga ky bojkotim.

Transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës me anë të ndryshimeve kushtetuese përveç votave të shumicës së deputetëve kërkon edhe votat e shumicës së deputetëve të pakicave, por Lista Serbe nuk ka vullnet për ta mbështetur këtë transformim.