Zbulimi i statujës së majorit. Foto: Beta/Jovo Mamula.

Statuja e Majorit Shkakton Debat Mes Serbisë e Kroacisë

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq akuzoi të martën zyrtarët kroatë për “histeri anti-serbe” ndërsa vazhdoi mosmarrëveshja midis dy vendeve mbi statujën e re të Ushtrisë Popullore Jugosllave Majorin Milan Tepiq në Beograd.

Daçiq e përshkroi protestën diplomatike të Zagrebit rreth monumentit të Tepiqit, i cili hodhi në erë një depo municionesh në Kroaci, duke vrarë veten dhe 12 njerëz të tjerë gjatë luftës në vitin 1991, si një shembull të “çmendurisë”.

“Krahasuar me zyrtarët kroatë, ai është një gjigant morali,” tha Daçiq për Tepiqin në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.

Debati nisi pasi monumenti i Tepiqit u zbulua të premten, në prani të ministrit serb të mbrojtjes dhe atij të punës.

Tepiq, së bashku me një ushtar tjetër të Ushtrisë Jugosllave, nuk pranoi t’i dorëzohej trupave kroate në shtator 1991, duke hedhur në erë një depo municionesh në qytetin kroat të Bjelovarit.

Të dy burrat vdiqën, bashkë me 11 ushtarë kroatë. Veprimet e Tepiqit kërcënuan gjithashtu jetët e civilëve.

Ministria e Jashtme kroate lëshoi një notë proteste për zbulimin e monumentit të hënën, duke thënë se statuja konfirmon se Serbia “ende nuk është gati të përballet me të kaluarën dhe rolin e saj në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë”.

Ministria tha se lëvizja e Serbisë shkon kundër përpjekjeve të Kroacisë për të “ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore” pavarësisht se ishte viktimë e “agresionit të Republikës së Serbisë dhe Ushtrisë Popullore Jugosllave”.

Kroacia gjithashtu pohoi se Tepiq do ta kishte “rrafshuar në tokë qytetin e Bjelovarit ” po të mos ishte për “veteranët heroikë kroatë të luftës” që e ndaluan atë.

Shumë media kroate, por edhe disa në Bosnje dhe Hercegovinën fqinjë, e dënuan vendosjen e statujës së Tepiqit.

Faqja e boshnjake e lajmeve Prometej tha se Serbia “tani ka atë që as Iraku apo Afganistani nuk e kanë – një monument për një bombardues vetëvrasës”.

Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin tha të dielën se Serbia dhe Kroacia nuk do të bien kurrë dakord për çështje të caktuara nga e kaluara.

Ai përmendi shembullin e Miro Baresiq, një kroat që vrau ambasadorin e Jugosllavisë në Suedi në vitin 1971 dhe statuja e të cilit u zbulua në Kroaci vitin e kaluar në prani të zyrtarëve shtetërorë kroatë.

“Me siguri s’do të ishit dakord me mua kur them se Miro Baresiç ishte një terrorist. Këtë po them edhe unë dhe nuk mund të heq një paralele midis Baresiqit dhe Majorit Tepiq në asnjë mënyrë,” tha Vulin për gazetarët kroatë.