Stadiumi pa Tribuna

Terreni i këtij stadiumi është jashtë çdo standardi, ndërsa ai nuk ka as tribuna ku mund të ulen tifozët.

Sylejman Hajdini, ndihmës-trajner i Klubit Futbollistik “Vitia” dhe trajner i grupmoshave të reja thotë se stadiumi ndodhet në gjendje të mjerueshme.

“Besoj që për nga kushtet po shihet që është një mjerim te na dhe jemi në krizë pasi s’ka buxhet, pare nuk ka,” thotë Hajdini.

Ai bën me dije se gjendja e tillë nuk i ka penguar hajnat që të vjedhin edhe ato pak gjëra që mund të vidhen këtu.

“Ka ndodhur janë vjedhë elemente të ushtrimeve, topat, konat dhe gjësende tjera dhe po ashtu para 4 viteve u vjedh edhe hidrofori,” shpjegon Hajdini.

Sipas tij Komuna e Vitisë që 4 vjet nuk ka dhënë asnjë cent për këtë stadium.

Zyrtari për rini dhe sport në Viti Emrush Azemi thotë se komuna e ka të pamundur të investojë në stadium, pasi ai nuk është pronë komunale, por ndodhet nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Azemi thotë se komuna ka planifikuar ndërtimin e një kompleksi sportiv.

“Komuna e Vitisë është duke planifikuar ndërtimin e një kompleksi sportive të madh në hyrje të Vitisë, por tani jemi duke pritur që të gjejmë mbështetës dhe donatorë që ta realizojmë atë,” thotë ai.

Vitia i ka dy ekipe në Ligën e Parë të Kosovës, klubin me këtë emër dhe “Vllazninë” që nuk ka stadium.

Drejtoria për Rini, Kulturë e Sport e Komunës së Vitisë vitin e kaluar për sport dha 32 mijë euro, ndërsa sivjet 38 mijë.