Stacioni i Autobusëve - Foto: KALLXO.com

Stacioni i autobusëve në Gjilan pritet të punojë 24 orë gjatë verës

Komuna e Gjilanit  ka njoftuar së gjatë muajve të verës Stacioni i Autobusëve do të jetë i hapur 24 orë pasi që pritet të ketë fluks më të madh të qarkullimit në rrugët e Gjilanit dhe ato regjionale.

Sipas njoftimit, drejtori i Stacionit të Autobusëve, Avni Hajrullahu, ka paraqitur punën që është bërë në këtë ndërmarrje dhe planifikimin për muajt e verës.

“Falë mbështetjes së madhe që e kemi nga Komuna e Gjilanit dhe në bazë të përgatitjeve për sezonin veror, kur fluksi i qarkullimit të autobusëve dhe veturave është i shtuar, Stacioni i Autobusëve do të punoj 24 orë dhe shfrytëzimi i hapësirës së autobusit do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe kompanive”, citohet të ketë thënë Hajrullahu.

Ai ka potencuar se edhe në aspektin financiar NPL Stacioni i Autobusëve ka një qëndrueshmëri të kënaqshme dhe që  sipas tij, bashkë  me operatorët e transportit kanë arritur në 90 për qind të zbatimit të planit.

“Me mbështetje të kryetarit të Komunës Lutfi Haziri kemi koordinuar dhe planifikuar edhe investimet ne rivitalizimin dhe digjitalizimin e Stacionit te Autobusëve, që do ta bëjmë gjatë pjesës së dytë të vitit 2019 dhe kështu viti 2020, stacionin e Gjilanit do ta gjejë me ambiente moderne dhe me standarte europiane”, citohet të ketë thënë ai.

Më tutje, Hajrullahu i ka ftuar të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit që ta shfrytëzojnë transportin publik dhe hapësirat e Stacionit të Autobusëve, sepse “transporti publik është më i sigurt dhe është legal”.