Sqarohet prezenca e veturës zyrtare të Kosovës në Ulqin

Një veturë zyrtare e Republikës së Kosovës është parë në qytetin bregdetar në Ulqin të Malit të Zi.

Në një fotografi të cilën e kanë raportuar lexues të KALLXO.com, shihet vetura që thuhet se është parë në Ulqin të enjten e kaluar.
KALLXO.com mësoi se arsyeja e gjendjes së kësaj veture në Ulqin ishte për shkak të një udhëtimi zyrtar të zëvendësministrit të Bujqësisë, Jeton Emini.

Ministria e Administratës Publike e ka konfirmuar se vetura në fjalë është në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
“Kodi i targave ‘16’ për vetura zyrtare përdoret nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural.”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për obligimin që zyrtari i këtij dikasteri ka pasur jashtë kufijve të Kosovës.

Zëvendësministri Jeton Emini është përgjigjur për KALLXO.com se vizita e tij në Mal të Zi ka qenë zyrtare.

“Unë zv. ministri i Bujqësisë Jeton Emini, nga data 06 deri më datën 08 shtator kam pasur udhëtim zyrtar në Mal të Zi dhe vetura ime e cila e parë me datën 6 në Ulqin është bërë në Hotel ‘Kasmi’ parkingun e tyre , ku unë me stafin tim kemi qenë të akomoduar në atë hotel për dy ditë, andaj asgjë s’ka në këtë drejtim personale dhe individuale”, thuhet në përgjigjen e Eminit.

Zëvendësministri përmes postës elektronike, ka bashkangjitur edhe dëshminë e lejimit të udhëtimit zyrtar nga ministria përkatëse.