Zyrtare: UEFA përjashton përfundimisht Rusinë nga garat, e pësojnë edhe klubet e këtij shteti
Ishin të pezulluar, por tani është marrë vendimi përfundimtar dhe Rusia përjashtohet përfundimisht nga UEFA.
Lufta e nisur nga rusët ndaj Ukrainës ka bërë që ndaj këtij shtetit të merren masa nga të gjitha anët dhe nuk kanë munguar sanksionet as nga shtëpia më e madhe e futbollit evropian UEFA.
Fillimisht UEFA e kishte pezulluar Kombëtaren e Rusisë si dhe klubet duke i larguar nga garat evropiane.
Tani Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s ka mbajtur mbledhjen e radhës ku ka vendosur përfundimisht ta përjashtojë Rusinë nga Liga e Kombeve, derisa edhe klubet ruse e kanë pësuar, pasi asnjë nga to nuk do të mund të marrin pjesë në garat evropiane gjatë edicionit 2022/23.
Nga vendimi i Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s preket drejtpërdrejt edhe /kombëtarja e Shqipërisë duke qenë se kuqezinjtë e trajnerit Edy Reja ishin shortuar në Grupin B me Rusinë në Ligën e Kombeve.
Vendimet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s:
-Rusia nuk do të marrë pjesë në Grupin 2 të Ligës B në Ligën e Kombeve dhe automatikisht do të jetë e renditur në vendin e katërt të grupit. Si pasojë do të zbresë një Ligë më poshtë pas përfundimit të fazës së grupeve, do të mbajë vendin e 16-të në Ligën B.
Faza finale e Evropianit 2022 për femra:
-Kombëtarja e Rusisë së femrave nuk do të marrë pjesë në Grupin C në turneun që është parashikuar të nisë më datë 6-31 korrik në Angli. Rusia do të zëvendësohet nga Portugalia, kundërshtar që Rusia e mposhti në Play-Off.
Kualifikimit e Botërorit 2023 për femra:
-Rusia nuk i luajti dy ndeshjet e muajit prill në Grupin E duke kompromentuar Danimarkën, Maltën, Bosnje-Hercegovinën, Azerbaxhanin dhe Malin e Zi. Rusia nuk do të marrë më pjesë në këtë grup dhe rezultatet e arritura deri më tani ndaj Rusisë bëhen të pavlefshme. Kështu, Grupi E do të vazhdojë me pesë kombëtare.
Kualifikimet për Evropianin 2021-2023 nga kombëtarja U21:
Rusia nuk i luajti dy ndeshjet e muajit mars duke kompromentuar Grupin C ku janë edhe Spanja, Sllovakia, Malta, Lituania dhe Irlanda e Veriut. Rusia nuk do të marrë më pjesë në këtë grup dhe rezultatet e arritura deri më tani ndaj Rusisë bëhen të pavlefshme. Kështu, Grupi C do të vazhdojë me pesë kombëtare./Telegrafi