Leotrim Kryeziu/ Foto: FC Prishtina/Facebook

Zyrtare: Prishtina përforcohet me sulmuesin Leotrim Kryeziu

Prishtina është përforcuar në fazën e sulmit duke e transferuar Leutrim Kryeziun nga klubi zvicerian Lugano.

Kryeziu vjen si zëvendësues i Ahmed Januzit që u largua në drejtim të Llapit gjatë ditës së djeshme.

“Sulmuesi i Luganos, anëtare e elitës së futbollit zviceran, është pajtuar me ofertën e FC Prishtina që për një vit, konkretisht në edicionin 2020/21, të na huazoj sulmuesin, Leutrim Kryeziu”, njofton Prishtina.

21 vjeçari nga Rogoçica e Kamenicës, luan në pozitën e sulmuesit qendror. Në sezonin e kaluar ka qenë i huazuar në Ligën e Parë të Zvicrës te skuadra e Chiaso-s.

“Me Lugaon ka një paraqitje zyrtare, ndërsa mbetët i pa harruar goli i shënuar ndaj Inter-it të Milanit në miqësoren ndërmjet dy klubeve. Me U21 të Luganos nga 19 paraqitje ka shënuar 19 gola. Me Kosovën U19 nga 6 paraqitje ka shënuar 5 gola. Kurse, si anëtar i Dritës para se të transferohej në Lugano, nga 57 ndeshje zyrtare ka shënuar 8 gola”, thuhet në njoftimin e kryeqytetasve.

Ish – sulmuesi i Dritës, për faqen zyrtare të Prishtinës ka thënë se pret një të ardhme të mirë me “bardhë e kaltërit”.

“Ishte kërkesa e Fisnik Kërçelit dhe insistimi tij në klubin e Luganos që të vijë të ndihmoj Prishtinën gjatë një edicioni. Me Prishtinën e besoj se do të kem një të ardhme shumë të mirë. Pres rezultate të mira dhe të arrijmë objektivat. Më gëzon fakti që i gjithë ekipi më ka pritur shumë ngrohtë, është atmosferë e mirë, ka futbollistë me cilësi dhe me konkurrencë”, ka thënë Kryeziu.

Leotrim Kryeziu ka nënshkruar kontratë 1 vjeçare me Prishtinën dhe do ta bartë numrin 9.