Zyrtare: FFK-ja shtyn për një ditë ndeshjet e Kupës së Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës, përmes faqes zyrtare ka njoftuar se ka shtyrë për një ditë ndeshjet e rrethit të dytë të Kupës së Kosovës, pasi dita e nesërme do të jetë ditë zie në Kosovë, për shkak të tërmetit në Shqipëri.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton klubet dhe opinionin se ndeshjet e rrethit të dytë të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, të parapara të zhvillohen të mërkurën, janë shtyrë. Ky vendim është marrë nga Komisioni i Garave, duke pasur parasysh se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ditën e mërkurë e ka shpallur ditë të zisë, në shenjë respekti për viktimat e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Ndeshjet e rrethit të dytë do të zhvillohen, të enjten, më 28 nëntor”, thuhet në njoftimin e FFK-së.