Zymer Bytyqi kërkon përkrahje për ndeshjen ndaj Suedisë

Sulmuesi i krahut, Zymer Bytyqi ka deklaruar se atmosfera te Kombëtarja e Kosovës është e mirë para ndeshjes ndaj Suedisë.

Kosova do të përballet me Suedinë më 9 tetor, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.

Sulmuesi i Konyasporit, Zymer Bytyqi shpreson që të marrin rezultat pozitiv ndaj Suedisë.

“Atmosfera është e mirë. Kemi ardhur me energji të re, djemtë kanë ardhur nga klubet e tyre kanë bërë punë të mirë dhe luajtën mirë ndaj Spanjës. Atë energji pozitive e kemi marrë me vete për ndeshjet kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë. Suedia bazohet në lojë fizike dhe kanë shumë lojtarë që duhet pasur kujdes. Nëse arrijmë t’i ndalim sulmuesit dhe mesfushorët kemi gjasa të mira. Në Skandinavi ka shumë shqiptar dhe do të jetë mirë për ne”, ka deklaruar Bytyqi.

Kosova po ashtu më 12 tetor do të takohet me Gjeorgjinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.