Zekrija Ramadani flet pas fitores ndaj Besës së Pejës

Prishtina ka fituar me rezultat 0-2, ndaj Besës së Pejës, në kuadër të xhiros së 15-të në Superligën e Kosovës.

Trajneri i kryeqytetasve, Zekirija Ramadani ka folur pas ndeshjes duke thënë se këto ndeshje janë të vështira dhe ia kanë arritur qëllimit që t’i marrin tri pikë në shtëpi.

“Këto ndeshje janë gjithmonë të vështira, pasi që duhet motivim më tepër dhe nuk guxon të gabosh. Objektivi është arritur pasi që kemi marrë tre pikët, të cilat nuk ishin të lehta përballë një klime më të ftohtë në Pejë dhe terrenit me bari sintetik. Futbollistët dhanë maksimumin e tyre dhe unë dua t’i përgëzoj për këtë fitore. Gjithashtu dua që t’i përgëzoj gjithë shqiptarët për Festën e Flamurit”, ka thënë Ramadani.

Zekirija Ramadani ka folur edhe për periudhën e tyre negative duke thënë se nuk kishte kohë që ta përgatiste skuadrën mirë.

“Nuk dua të gjej justifikime, por kam ardhur vetëm një javë para se të fillon kampionati, teksa në skuadër kanë ardhur shumë futbollistë dhe normalisht se atyre i’u duhet kohë për t’u ambientur me punën dhe filozofinë time të lojës. Patëm një krizë rezultatesh e cila është krejtësisht normale dhe shpresoj të kemi kaluar atë në fazën e parë. Megjithatë, duhet të jemi me këmbë në tokë, ta ngrisim nivelin e punës dhe disiplinës për të ardhur deri te rezultatet e radhës”, deklaroi Ramadani për “Art Sport”.

Pas kësaj fitoreje Prishtina ngjitet në vendin e tretë me 24 pikë.

Në xhiron e 16-të e pret në shtëpi Feronikelin.