Zekirija Ramadani e kërkon titullin e kampionit me Prishtinën

Prishtina ka shënuar fitore me rezultat 4-2, ndaj Trepçës ’89, ndeshje e vlefshme për xhiron e 13-të në Superligën e Kosovës.

Pas ndeshjes, trajneri i kryeqytetasve, Zekirija Ramdani, ka thënë se e kërkojnë titullin e kampionit në këtë sezon.

“Objektiv kemi titullin kampion dhe nuk duhet ta fshehim këtë gjë. Ndodhemi 11 pikë prapa vendit të parë, por nuk e lodhi mendjen për Ballkanin, pasi që ndeshjen e radhës e kemi me Llapin dhe ne synojmë t’i marrim ndeshjet një e nga një”, ka thënë Ramadani për “Art Sport”.

Ramadani ka folur edhe për ndeshjen e sotme, duke thënë se i dhemb fati që i pranuan dy gola.

“Më dhemb fakti që pranuam dy gola. Ne duhet të analizojmë mirë këtë gjë dhe të punojmë për të mos i përsëritur këto gabime. Çdo futbollist i cili e bartë fanellën e Prishtinës është i rëndësishëm për ne. Nuk është John, por është Shillova, Kryeziu e Prapashtica. Të gjithë futbollistët janë të rëndësishëm”, përfundoi Ramadani.

Pas kësaj fitoreje Prishtina pozicionohet në vendin e katërt me 18 pikë.