Zbulohet plani i FSHF-së, orar i ngjeshur për përfundimin e sezonit

Superiorja prej gati një muaji është ndërprerë dhe klubet po presin një njoftim nga FSHF për t’u rikthyer në stërvitje. Sigurisht që do të duhet një “OK” nga autoritetet shëndetësore, për të mos rrezikuar në përkeqësimin e situatës në vend.

Coronavirusi është një armik që nuk duhet nënvlerësuar dhe beteja me të vazhdon ende.

Gjithsesi në FSHF kanë gati të gjitha planet për përfundimin e sezonit në kohë rekord. ABC News mëson, se nëse kampionati nis më 31 maj, sikurse edhe është dëshira, atëherë 10 javët e mbetura të kampionatit do të mbyllen brenda një muaji.

 

Një nga planet, sikurse bëjnë me dije burime të ABC News, është që në katër javë të luhen 10 javët e mbetura të Superiores. Kështu, në një javë do të luhen tre ndeshje, kurse në pasardhësen dy. Praktisht 10 ndeshje për 4 javë.

Më shumë mundësi ky është plani urgjent, për ta mbyllur sezonin sa më shpejt. Brenda kësaj periudhe mund të luhen edhe ndeshjet e Kupës, faza çerekfinale dhe gjysmëfinale, me gjasa në javët kur janë programuar nga dy ndeshje kampionati. Këtë herë jo me dy takime, por me eliminim direkt.

Me përfundimin e kampionatit, finalja pritet të zhvillohet në ditët e para të korrikut. Kështu edhe FSHF do të mund të dorëzojë në UEFA listën e skuadrave që do të marrin pjesë në kupat e Europës, para 3 gushtit, që është edhe afati final kur edhe kampionatet duhet të kenë përfunduar.