Ylli pëson humbjen e tretë radhazi, mposhtet nga Prizreni 16

KB Prizreni 16 ka shënuar fitore me rezultat 107: 89 ndaj kampionit në fuqi Yllit në kuadër të xhiros së tretë në Sueprligën e Kosovës në basketboll.

Kjo ishte humbja e tretë radhazi nga tri takime për Yllin.

Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej dhe herë njëra e herë tjetra kalonte në epërsi, derisa çereku i parë përfundon 24:25. Ylli e nisi periudhën e dytë më mirë, duke pasur epërsi prej shtatë pikësh, 25:32, por nga ky moment prizrenasit morën lojën në duar dhe nuk e lëshuan deri në fund. Ata shkrijnë epërsinë dhe e përmbyllin pjesën e parë në të mirë të tyre 51:44.

Basketbollistët nga Prizreni vazhduan me lojë të mirë, duke thelluar edhe më shumë epërsinë, ku më e larta ishte 78:57, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 80:59. 10 minutat e fundit ishin formalitet me prizrenasit që menaxhuan epërsinë dhe triumfuan në fund 107:80.

Te Prizreni 16 u dalluan Courtney Fells me 27 pikë, 12 kërcime e 5 asistime, Ty Nichols me 17 pikë, 5 kërcime e 8 asistime, Ivan Koljeviq me 15 pikë, 5 kërcime e 9 asistime dhe Arti Hajdari me 24 pikë, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Erjon Kastrati me 22 pikë, 5 kërcime e 8 asistime dhe Ardit Pepaj me 17 pikë e 6 kërcime.

Prizreni 16 ka dy fitore dhe një humbje.