Xherdan Shaqiri do t’i mungojë Zvicrës ndaj Italisë dhe Irlandës së Veriut

Kombëtarja e Zvicrës ka marrë një lajm të keq para ndeshjeve kualifikuese ndaj Italisë dhe Iralandës së Veriut.

Trajneri i Zvicrës, murat Yakin, nuk mund të llogaritë në Xherdan Shaqirin në miqësoren ndaj Greqisë që luhet të mërkurën nga ora 20:45, dhe ndaj Italisë më 5 shtator e Irlandës së Veriut më 8 shtator në kuadër të Grupit C kualifikues.

Shaqiri është stërvitor për dy ditë me Zvicrën dhe ka vendsour të largohet nga kampi stërvitor për arsye mjekësore së bashku me Mario Gavranoviqin, Loris Beniton dhe Breel Embolon.

“Katër futbollistë janë larguar të martën nga kampi stërvitor. Xherdan Shaqiri, Mario Gavranoviq, Loris Benito e Breel Embolo janë larguar për shkak të arsyeve mjekësore”, thuhet në njoftimin e Federatës zvicerane.

Sulmuesi i Lyonit ka treguar arsyen se përse nuk mund të luajë në tri ndeshjet e ardhshme për Zvicrën.

“Kohët e fundit isha stërvitur individualisht dhe për këtë arsye nuk kam ende ritmin e nevojshëm të konkurrencës. Në konsultim me trajnerin Murat Yakin dhe klubin tim, ne vendosëm që të ktheheshim në Lyon për t’u përgatitur për ndeshjet e ardhshme në klub dhe gjithashtu në ekipin kombëtar. Ishte e rëndësishme për mua të kaloja dy ditët e para të stërvitjes në Basel, të merrja pjesë në stërvitjet e para të trajnerit tonë të ri dhe të shihja përsëri shokët e mi të skuadrës”, ka thënë Shaqiri i cili është kthyer në Francë për t’i vazhduar përgatitjet me Lyonin.