Xhaka e Shaqiri pritet të luajnë kundër Kosovës më 29 mars

Yjet e futbollit si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka pritet që shumë shpejt të kenë përballë yjet e kombëtares së Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës në futboll në kategorinë e djemve më 29 mars do të zhvillojë ndeshje miqësore me kombëtaren e Zvicrës.

Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Futbollit të Kosovës.

“Në kuadër të ndeshjeve miqësore të parapara të zhvillohen në muajin mars, presidenti Agim Ademi ka konfirmuar sot se është arritur marrëveshja që Kombëtarja A e Kosovës më 29 mars të zhvillojë ndeshje miqësore me Kombëtaren e Zvicrës”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Pos Zvicrës, “dardanët” pritet që në kuadër të ndeshjeve miqësore në muajin mars të përballen edhe me një kundërshtar tjetër.

Kosova në këto ndeshje pritet të udhëhiqet nga trajneri i ri që pritet të marrë drejtimin e kombëtares shumë shpejt.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyrtarët e FFK-së kishin thënë se për pozitën e trajnerit të Kosovës janë mbi 50 kandidatura.